Policia e Tiranës ka bërë të ditur zhvillime të reja lidhur me ngjarjen e ndodhur mbrëmjen e djeshme në zonën e Freskut, ku një 28-vjeçar u plagos me armë zjarri.

Si rezultat i hetimeve është identifikuar autori i dyshuar, ndërkohë që një nga bashkëpunëtorët e tij është arrestuar dhe një tjetër është shpallur në kërkim.

Ngjarja ndodhi në rrugën “Thoma Filipeu”, ku mbeti i plagosur J. A., 28 vjeç.

“U shpall në kërkim autori i dyshuar i plagosjes, shtetasi K. C. (L.), 26 vjeç, banues në Tiranë, për veprat penale ‘Vrasje me dashje’ e mbetur në tentativë dhe ‘Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit’; -U arrestua në flagrancë shtetasi Xh. Q., 27 vjeç, banues në Tiranë, për veprën penale ‘Përkrahje e autorit të krimit’; -U shpall në kërkim shtetasi A. G., 26 vjeç, banues në Tiranë, për veprën penale ‘Përkrahje e autorit të krimit’.”, bën me dije Policia.

Sipas hetimeve paraprake, të dyshuarit Xh. Q. dhe A. G. dyshohet se kanë ndihmuar autorin e dyshuar të largohet nga vendi i ngjarjes menjëherë pas aktit kriminal.

Policia thotë se po vijon punën për lokalizimin dhe kapjen e personave në kërkim, si dhe për dokumentimin e plotë ligjor të rrethanave të kësaj ngjarjeje të rëndë.

Ngjarja e rëndë që tronditi zonën e Freskut në Tiranë, ndodhi në orët e vona të mbrëmjes së kaluar, ku u qëllua me armë ndaj të riut i cili ndodhej brenda makinës.

Mësohet se i riu ka braktisur automjetin e tij dhe është gjetur fare pranë nga kunati i tij i cili e ka transportuar për në Spitalin e Traumës, pasi ka marrë një plumb në këmbë. Ai ndodhet në kujdesin intensiv të mjekëve dhe jashtë rrezikut për jetën.