Zbardhet plagosja me armë zjarri e 36-vjeçarit në Shijak, vihet në pranga pronari i dyqanit për pjesë këmbimi, ku ndodhi ngjarja.

Sekuestrohet 1 armë zjarri pistoletë që dyshohet se e ka përdorur pronari i dyqanit, gjatë konfliktit. Vijon puna për lokalizimin dhe kapjen e 2 shtetasve që plagosën me armë 36-vjeçarin, i cili ndodhej në dyqan, gjatë konfliktit.

SI NDODHI NGJARJA KU MBETI I PLAGOSUR AKSIDENTALISHT 36-VJEÇARI

Strukturat hetimore të Komisariatit të Policisë Shijak, në bashkëpunim me strukturat hetimore të Drejtorisë Vendore të Policisë Durrës, në drejtimin e Prokurorisë, në vijim të hetimeve të thelluara për zbardhjen e ngjarjes së ndodhur në një dyqan për pjesë këmbimi, në Shijak, arrestuan shtetasin Albano Domi, 27 vjeç, banues në Xhafzotaj (pronari i dyqanit ku ndodhi ngjarja).

Po në vijim të veprimeve hetimore, u bë shpallja në kërkim e shtetasve Arbër Hoxha, 30 vjeç dhe Xh. P., 33 vjeç, të dy banues në Durrës. Vijon puna intensive për lokalizimin dhe kapjen e tyre.

Nga hetimet rezultoi se për motive të dobëta, shtetasit Arbër Hoxha dhe Xh. P. janë konfliktuar fizikisht me shtetasin Albano Domi, dhe më pas kanë qëlluar me pistoletë në drejtim të tij. Si pasojë e të shtënave është plagosur dhe është jashtë rrezikut për jetën, shtetasi Enidor Dedja, i cili ishte në dyqan kur ka ndodhur konflikti.

Po nga hetimet rezultoi se dhe pronari i dyqanit, shtetasi Albano Domi iu është kundërpërgjigjur me armë zjarri pistoletë, shtetasve Arbër Hoxha dhe Xh. P.

Shërbimet e Policisë kanë gjetur dhe sekuestuar në cilësinë e provës materiale, 1 armë zjarri pistoletë që dyshohet se është përdorur nga pronari i dyqanit.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, për veprime të mëtejshme për shtetasin A. D., për veprat penale “Kanosja” dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, i armëve shpërthyese dhe municionit” dhe për shtetasit A. H. dhe Xh. P., për veprat penale “Vrasja me dashje”, mbetur në tentativë dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, i armëve shpërthyese dhe municionit”.