Detaje të tjera hedhin dritë mbi ngjarjen e natës së kaluar, kur një nuse ka tentuar të djegë me benzinë vjehrrën dhe kunatën.
Sipas Panoramës ngjarja e ndodhur në fshatin Stajkë të Vaut të Dejës, është përpjekur të minimizohet nga një nga protagonistet, e pikërisht nga Angjelina Palushaj, vjehrra e nuses.
Ajo, nën zë, e ka pranuar se ka pasur një debat në familje që u pasua me aktin ekstrem të nuses së quajtur Ela Palushaj.
Sipas rrëfimit të vetë vjehrrës, “prej 10 ditësh, vajza ime Nora Palushaj është ndarë nga bashkëshorti dhe ka ardhur në shtëpinë e nënës. Pasi ka ardhur kanë nisur debate të cilat më pas kanë çuar në ngjarjen e e ndodhur mbrëmë”.
Bashkëshorti i nuses, Elës, njëkohësisht djali i Angjelinës, i quajtur Lul Palushaj është munduar që ta ndalë bashkëshorten e tij në momentin që ajo ka tentuar të djegë me benzinë vjehrrën.
Policia ka arrestuar nusen dhe ka nisur hetimet për zbardhjen e shkaqeve të ngjarjes.





