TIRANE, 9 prill 2013– Zbardhet skema e vrasjes së balerinës 26-vjeçare Sonila Tafa, e cila u qëllua me një plumb në kokë pas mesnatës të së premtes që kaloi te diskoteka “Dream City” në Tiranë. Një ditë pas identifikimit të autorit të dyshuar të ngjarjes, Artur Kuliçi, 34 vjeç, banues në Durrës, grupi i hetimit ka krijuar një ide më të qartë në lidhje me ngjarjen e rëndë. 

Skema e vrasjes dhe rrethanat e krimit janë zbardhur pasi janë marrë pamjet e kamerave të brendshme e të jashtme të lokalit të natës ku ndodhi krimi. Nga policia janë pyetur mbi 50 dëshmitarë, përfshi vajzën e cila ndodhej bashkë me Sonila Tafën në momentin fatal. Mbledhja e këtyre të dhënave, por edhe dëshmia e dhënë nga Endon Bajraktari, 26 vjeç, i akuzuar për përkrahje të autorit të krimit, kanë zbardhur momentet kryesore të ngjarjes tragjike. Sipas hetimeve, autorët e ngjarjes, shtetasit e dyshuar Artur Kuliçi dhe Endon Bajraktari, të shoqëruar nga një vajzë e moshës rreth të 20-tave, kanë qenë ulur në një tavolinë në zonën e diskotekës që njihet si “zona me ulëse”. 

Në këtë zonë të diskotekës mësohet se ka qenë edhe balerina Sonila Tafa me partnerin e saj dhe një kolege, e cila nga ana e saj shoqërohej edhe ajo nga një djalë. Kamerat e brendshme të lokalit kanë fiksuar një debat me gjeste mes dy tavolinave, por policia nuk konfirmonte nëse konflikti ka qenë mes tavolinës ku ishin autorët e krimit dhe tavolinës ku ndodhej balerina, apo ndonjë tavoline tjetër. Ajo që kanë fiksuar kamerat e sigurisë ka qenë një mosmarrëveshje mes personave që ndodheshin në dy tavolina të ndryshme. Pas gjesteve dhe fjalëve të hedhura mes palëve ka pasur disa goditje me gota dhe me shishe dhe më pas kanë ndërhyrë truprojat e diskotekës. 

VRASJA

Rojet e lokalit fillimisht kanë nxjerrë jashtë diskos tre personat që dyshohen ai autorë të vrasjes. Kamerat kanë fiksuar momentet kur Artur Kuliçi dhe Endon Bajraktari janë nxjerrë jashtë lokalit me gjithë vajzën që i shoqëronte. Nga pamjet filmime vërehet se 34-vjeçari Kuliçi nuk ka qenë dakord të dilte nga lokali, madje ka kundërshtuar aktivisht të largohej, derisa është dashur ndërhyrja e truprojave. 

Nga pamjet e marra prej kamerave të sigurisë duket se tre personat në fjalë nuk e kishin lënë makinën e tyre në parkingun e diskotekës, pasi fillimisht kanë ikur në këmbë nga pjesa e përparme e lokalit të natës, për t’u kthyer aty rreth 20 minuta më vonë. Ora shënonte 03.00 e mëngjesit të së shtunës kur klientët dhe personeli i lokalit të natës kanë qenë duke dalë jashtë. Në rresht njëri pas tjetrit po dilnin balerina që do të goditej me plumb në kokë, mikesha e saj dhe dy djemtë që i shoqëronin. “Nga pamjet filmime rezulton se në këtë kohë, një makinë tip ‘BMW’, seria 7, ka kaluar para lokalit të natës “Dream city” dhe kur ndodhej paralel me hyrjen kryesore, përballë saj, ka pasur disa të shtëna me armë”, thanë burimet e Policisë. 

Sipas tyre, rojat e diskotekës kanë hyrë brenda rrethimit dhe tre personat që ndodheshin para Sonila Tafës, duke dalë nga lokali, kanë lëvizur çrregullt. Ndonëse ka qenë e fundit në radhë duke dalë nga lokali i natës, balerina 26-vjeçare është goditur nga një plumb në kokë, duke gjetur vdekjen më pas rrugës për në spital. 

Vrasja e balerinës, 15 ditë burg bashkëpunëtorit, në kërkim Kuliçi

 

Gjykata e Tiranës ka dhënë sot masën e arrestit për Endon Bajraktarin, i akuzuar si bashëpunëtor i Artur Kuliçit në vrasjen e balerinës 26-vjeçare Sonila Tafa. 

Gjykata e Tiranës vendosi masën e sigurisë 15 ditë me burg për Bajraktarin, ndërkohë që ka shpallur në kërkim 34- vjeçarin Artur Kuliçi i akuzuar si autori i ngjarjes. 

Bajraktari akuzohet se ka larguar nga vendi i krimit autorin Kuliçi, por këtë akuzë ai e ka hedhur poshtë në sallën e gjyqit.