3dhjetor 2015 – Pas dënimit nga Gjykata me 59 vite burg ndaj 5 personave në Tiranë – pjesë e një grupi kriminal që kryenin kalim të paligjshëm të shtetasve shqiptarë drejtë Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Prokuroria e Krimeve të Rënda ka zbardhur skemën e trafikut duke zbuluar lidhjet e tyre në Maqedoni, Bullgari, Spanjë dhe Meksikë.
Pesë të dënuarit, Nertil Previzi, Fatos Fasko, Enver Karaj, Fatmir Bakalli dhe Nikoll Kolaj, kishin njohje të vjetra mes tyre dhe lidhje në disa shtete.
E gjithë lëvizja e personave kryhej nëpërmjet dhënies së një pagese, e cila varionte nga 24 mijë $ deri në 25 mijë $.
Sipas Prokurorisë, për realizimin e veprimeve aktive i pandehuri Fatmir Bakalli bashkëpunon me të padehurin Enver Karaj, me të cilin ka njohje të mëparshme, me të pandehurin Fatos Fasko, me të pandehurin Nertil Pervizi, Nikoll Kolaj si dhe me shtetas të tjerë.
Pjesë e trafikut është edhe shtetasi maqedonas me kombësi shqiptare, Nertil Pervizi, i cili realizonte pritjen e personave me destinacion SHBA-në në Maqedoni ose Bullgari.
Personave që nisen nga Shqipëria, iu sigurohet paisja me dokumente identifikimi bullgare të falsifikuara. Klandestinët e pajisur me këtë dokumentacion, udhëtojnë, kryesisht me autobuz, për në Itali dhe më pas për në Spanje.
Nga Spanja ata udhëtojnë me avion për në Meksikë, ku paraqiten me dokumentet bullgare. Nga kryeqyteti i Meksikës, Meksiko ose nga qyteti Kankunit (Cancun), klandestinët udhëtojnë me autobus për në vendin nga ku do të kalojnë ilegalisht kufirin për në SHBA me ndihmën e lidhjeve meksikane të të pandehurit Fatos Fasko, i cili eshte i pajisur me pasaporte meksikane. /panorama/