Gjykata e Lartë ka konstatuar shkelje proceduriale gjatë gjykimit të ish-ministrit të Brendshëm, Saimir Tahirit.

Në vendi thuhet se gjyqtarja Albana Boksi ishte në konflikt interesi pasi ka shqyrtuar çështjen e Taulant Haxhiraj në një procedim të lidhur, duke nënkuptuar kështu se trupa gjykuese kishte në përbërje gjyqtarë që s’mund të merrnin pjese në gjykim.

Gjykata e Lartë vendosi për rikthimin e çështjes për shqyrtim tek një trupë tjetër e Gjykatës së Posaçme të Apelit.

Në arsyetimin e saj, Gjykata e Lartë sqaron se rrethanat ligjore të çështjes së paraqitur për gjykim në Gjykatën e Posaçme të Apelit nuk kanë qenë të tilla që të justifikojnë kthimin e çështjes për rigjykim në Gjykatën e Shkallës së Parë, konform nenit 428/1, shkronja ç) të Kodit të Procedurës Penale, i cili parashikon të drejtën e Gjykatës së Apelit për prishjen e vendimit dhe kthimin e akteve Gjykatës së Shkallës së Parë kur nuk janë respektuar dispozitat që lidhen me kushtet për të qenë gjyqtar në çështjen konkrete, me numrin e gjyqtarëve që është i domosdoshëm për formimin e kolegjeve të caktuara në këtë Kod, me ushtrimin e ndjekjes penale nga prokurori dhe pjesëmarrjen e tij në procedim, me pjesëmarrjen e të pandehurit, të mbrojtësit të tij, ose përfaqësuesit të viktimës akuzuese, me shkeljen e dispozitave për paraqitjen e akuzave të reja, si dhe në çdo rast kur në dispozita të veçanta është parashikuar pavlefshmëria e vendimit.

Kolegji Penal i Gjykatës së Lartë kryesohej nga Sokol Sadushi, me relator Ilir Pandën dhe anëtar Ervin Pupen. Në fillim të seancës u njoftua se kryesuesi Sadushi kishte kërkuar dorëheqjen nga shqyrtimi i rekursit të Tahirit dhe Çelës, por kërkesa e tij ishte rrëzuar nga një tjetër gjyqtar i Gjykatës së Lartë.

Tahiri u vu nën shënjestrën e organeve të drejtësisë në tetor të vitit 2017, pasi autoritetet italiane goditën një grup të strukturuar kriminal në trafikun e marijuanës, që drejtohej nga vëllezërit Habilaj –të afërm të Tahirit. Prokuroria e akuzoi Tahirin për trafik të narkotikëve dhe kërkoi arrestimin e tij, por shumica parlamentare socialiste e bllokoi kërkesën për arrestim dhe e sulmoi hetimin e prokurorisë si të njëanshëm.

Në shtator 2019, Tahiri u shpall i pafajshëm për akuzat e trafikut të narkotikëve dhe grupit të strukturuar kriminal, por u dënua nga Gjykata e Krimeve të Rënda me 5 vjet burg për shpërdorim detyre, dënim i cili u konvertua me 3.4 vjet për shkak të gjykimit të shkurtuar.