Pas vendimit që mori Gjykata Kushtetuese disa ditë më parë në lidhje me Aldo Baren, i cili është dënuar me burgim të përjetshëm, ditën e sotme është bërë edhe zbardhja e plotë e vendimit.
Në këtë vendim, Gjykata Kushtetuese e ka rikthyer edhe një herë çështjen nga e para, duke argumentuar se atij i janë cënuar të drejtat kushtetuese, pasi ndaj tij nuk është zhvilluar një proces i rregullt gjyqësor.
“Gjykata Kushtetuese, në datën 08.02.2017 ka vendosur: ‘Pranimin pjesërisht të kërkesës. Shfuqizimin si të papajtueshëm me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë të vendimit nr.00-2015-2087, datë 02.07.2015, të Kolegjit Penal të Gjykatës së Lartë. Dërgimin e çështjes për rishqyrtim në Gjykatën e Lartë’.
Për sa më sipër, sqarojmë se Gjykata Kushtetuese ka shfuqizuar vendimin e Kolegjit Penal të Gjykatës së Lartë dhe e ka dërguar çështjen për rishqyrtim në Gjykatën e Lartë. Vendimi i saj nuk ka cenuar vendimmarrjen e Gjykatës së Shkallës së Parë dhe të Apelit për Krimet e Rënda, nga ku rezulton se kërkuesi është dënuar me burgim të përjetshëm”, thuhej në një njoftim.
Për këto arsye, Gjykata e ka rikthyer këtë çështje edhe një herë në Gjykatën e Lartë.
Po ashtu, kundër këtij vendim, kanë qenë dy anëtarët e kësaj gjykata, të cilët kanë theksuar se me këtë vendim, Gjykata Kushtetuese po kryen vetëm procedura formale, dhe jo si mjet efektiv për t’i dhënë fund zvarritjes së këtij gjyqi.
Kujtojmë se Aldo Bare është dënuar me burgim të përjetshëm, pasi akuzohet se është autor i disa vrasjeve të kryera në vitin 1997.





