Policia greke ka zbardhur vrasjen e 63-vjeçarit shqiptar në Korfuz më 26 nëntor, trupi i pajetë i të cilit u gjet nga banorët e zonës në një kanal në anë të rrugës. Në pranga ka rënë një 44-vjeçar, banor i zonës, që ka pranuar para hetuesve gjatë marrjes në pyetje se është autori i vrasjes së shqiptarit.
Sipas agjencisë greke të lajmeve "ANA", autori kishte pasur më parë një grindje me 63-vjeçarin shqiptar në një lokal. Pas sherrit, ai kishte marrë çiften dhe e kishte qëlluar për vdekje. 44-vjeçari u la në arrest me burg nën akuzën për vrasje me paramendim, kurse armën e krimit nuk e ka dorëzuar në polici.
Autopsia konfirmoi se 63-vjeçari ishte qëlluar me armë nga një distancë e afërt. Kurse mediat lokale të Korfuzit shkruanin se shqiptari njihej nga banorët si njeri i qetë, i respektuar dhe nuk ka pasur më parë probleme me drejtësinë.





