Policia e Shkodrës ka zbardhur vrasjen e dyfishtë të ndodhur më 30 mars 2019, kur mbetën të vrarë dy vëllezërit Bilali dhe ka arrestuar dy persona si autorë të dyshuar të vrasjes. Ndërkohë, janë shpallur në kërkim dy persona të tjerë.

U zhvillua operacioni policor i koduar “Livadhe” duke u finalizuar me ekzekutimin e urdhrave të ndalimit, datë 25.04.2019, të lëshuara nga Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Shkodër, për ndalimin e shtetasve: – Arsen Stojku, 29 vjeç, lindur dhe banues në fshatin Mjedë, bashkia Vau i Dejës, i dyshuar për veprën penale “Vrasja me paramendim kryer në bashkëpunim” dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve luftarake dhe municionit”.

Myslym Rama, 23 vjeç, lindur dhe banues në fshatin Mjedë, bashkia Vau i Dejës, i dyshuar për veprën penale “Vrasja me paramendim kryer në bashkëpunim” dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve luftarake dhe municionit””, lexohet në njoftimin e policisë.

U bë shpallja në kërkim e shtetasit Ibrahim Lici, 26 vjeç, si i dyshuari kryesor për veprën penale të vrasjes, si dhe e shtetasit D. B., 29 vjeç, për veprën penale “Përkrahja të autorit të krimit”.

Vijon operacioni për gjetjen dhe kapjen e tyre. Pas hetimeve intensive të kryera në drejtimin e Prokurorisë Pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Shkodër, rezulton se shtetasit e lartpërmendur kanë planifikuar, organizuar dhe kryer në bashkëpunim këtë vrasje.