Ambasadorja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në vendin tonë, Yuri Kim ka përshëndetur veprimin e SPAK, për zbardhjen e dy vrasjeve të 2005.

Përmes një reagimi në Twitter, Kim është shprehur se ky nuk është veprimi i parë nga SPAK dhe nuk do të jetë as i fundit, duke e nxitur këtë organ të vijoj të kryejë detyrën në formë të pa kompromentuar.

“SPAK ka marrë përsipër një rast tjetër të madh të krimit të organizuar dhe korrupsionit. Ky nuk është veprimi i parë i tillë nga SPAK, dhe nuk do të jetë i fundit. Shpresojmë që SPAK do të vazhdojë të demonstrojë forcën, integritetin dhe aftësinë e tij përmes veprimeve të tilla” shkruan Kim.

Kujtojmë që mbrëmjen e sotme SPAK ka zbardhur 2 atentate të ndodhura 15 vite më parë. Ngjarja e parë është ajo e vrasjes së Klodian Saliut, një ish-anëtar i bandës së Durrësit, i njohur edhe si biznesmen, kurse vrasja e dytë e zbardhur është ajo e biznesmenit Vajdin Lamaj në Tiranë. Për dy vrasjet SPAK ka lëshuar 6 urdhër-arreste.

Mësohet se janë caktuar masat e sigurimit “arrest në burg”, ndaj shtetasve Lulzim Berisha, Plarent Dervishaj, Indrit Taulla dhe L. Reci, për vrasjen e Klodian Saliut, të njejtët akuzohen edhe për vrasjen e biznesmenit Vajdin Lamaj dhe mikut të tij Artan Arsi. Gjithashtu është caktuar masa e sigurisë “arrest në burg”, ndaj shtetasve Emiljano Shullazi dhe Viktor Ymeri (Imeraj) për vrasjen e Vajdin Lamaj dhe mikut të tij Artan Arsi.