Ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj ka reaguar pas zbardhjes së krimit të dyfishtë në Durrës dhe arrestimit të dy autorëve të vrasjes së vëllezërve Haxhia, ndersa paralajmëron se të gjithë kriminelët do të përballen me ligjin.
Ministri Lleshaj shkruan në Facebook se kjo goditje tjetër e fortë kundër krimit të organizuar provon se as pandemia dhe asgjë tjetër nuk arrin të cënojë sadopak angazhimin e policisë në këtë front prioritar.
POSTIMI I LLESHAJT
Zbardhja e plotë dhe arrestimi i të dyshuarve për dy vrasje në Durrës është një sukses i rëndësishëm i Policisë së Shtetit.
Kjo goditje tjetër e fortë kundër krimit të organizuar provon se as pandemia dhe asgjë tjetër nuk arrin të cenojë sadopak angazhimin e Policisë sonë në këtë front prioritar.
Lufta kundër krimit të organizuar, kundër kultivimit dhe trafikimit të bimëve apo lëndëve narkotike, përmirësimi i parametrave të sigurisë rrugore dhe angazhimi i fortë kundër dhunës në familje janë prioritete absolute për Ministrinë e Brendshme dhe Policinë e Shtetit.
Policia e Shtetit, drejtuesit dhe punonjësit e saj në të gjitha nivelet meritojnë urimet më të mira për sukseset e shënuara gjatë gjithë këtyre ditëve të pazakonta, ku spikat pa dyshim, goditja e fortë në Durrës.
Të njëjtat falënderime i drejtohen dhe prokurorëve të Prokurorisë Durrës, të cilët kontribuuan thelbësisht në suksesin e operacionit “Shën Vlashi”, duke dëshmuar kështu bashkëpunimin përherë e më të mirë mes Policisë së Shtetit dhe degëve të Prokurorisë në të gjithë vendin.
Për këdo që ka humbur rrugën e jetës së ndershme dhe është futur në udhën qorre të krimit, një gjë duhet të jetë e qartë: është vetëm çështje e shkurtër kohe. Të gjithë do të përballen me ligjin.
Edhe njëherë urime për Policinë Shqiptare!





