Tiranë, 26 mars 2014 – Opozita nuk do të ndalet, betejën do e vijojë në Kuvend, por mazhoranca duhet të zbatojë vendimet e gjykatave. Ky ishte mesazhi që përcolli në mbledhjen e grupit parlamentar, kryetari i PD-së Lulzim Basha.
Basha theksoi se opozita nuk i ka bërë bisht dialogut dhe këtë e vërtetoi dhe pas letrës së kryeministrit Edi Rama drejtuar atij si kryetar opozite.
“Mora një letër të hapur të kryeministrit ku më ftonte të pajtoheshim për çështje të reformës territoriale. Letra që kam marrë dhe kam kthyer janë tashmë të njohura. Koha ka treguar se dialogu për ne ka qenë dhe është vlerë, ka qenë dhe është mendësi për njëri-tjetrin”,- tha Basha.
Në të njëjtën kohë kreu i PD-së theksoi se opozita nuk mund të bëhet palë me një mazhorancë që nuk zbaton vendimet e gjykatave. Në këtë pikë, Basha i ka bërë thirrje kreut të qeverisë të zbatojë menjëherë vendimin e Kushtetueses për statusin e Nëpunësit Civil dhe të kthehen në vendet e punës të gjithë të larguarit padrejtësisht.
“Një qeveri që refuzon të zbatojë vendimet e gjykatave padit veten si antidemokratike, kjo është e papranueshme në botën demokratike. Të prapësojë urdhin e paligjshëm, të zbatojë ligjin. Te tërheqë nga axhenda e kuvendit projektet për nëpunësin dhe AMA, pasi opozita refuzon lojën e shtyrjes së çdo projekti që bie ndesh të ligjeve të miratuara me konsensus, të heqë dorë nga sulmi kundër presidentit dhe institucioneve të pavarura”,- tha ai.
Gjatë fjalës së tij në mbledhjen e grupit të PD-së, Basha theksoi se “opozita do ta bëjë me vendosmëri punën e vet si opozitë në Kuvend, me gjithë fjalorin rrugaçëror të kryeministrit apo iso-ve me buzeqeshje të kryetarit të Kuvendit”.
/agjencia e lajmeve "Dyrrah"/





