Nga Censi 2011 deri në Censin 2023, popullsia u tkurr me rreth 420 mijë banorë duke arritur në 2,402,113, nga rreth 2,820,000 që ishte në vitin 2011.

Në përgjithësi, numri i popullsisë që banon në vend u reduktua me 14.8%, por imigrimi i brendshëm ka bërë që popullsia e mbetur të përqendrohet në qytetet kryesore, teksa ka rënë ndjeshëm popullsia në qytetet periferike.

Në 7 bashkitë e vendit, Tiranë, Durrës, Elbasan, Shkodër, Fier, Kamzë dhe Vorë, jetonte 52% e popullsisë, ndërsa në 54 bashkitë e tjera jeton 48% e popullsisë.

Në vitin 2011, në 7 bashkitë e mëdha jetonte 47% e popullsisë.

Kryeqyteti ka rritur më tej peshën ndaj popullsisë totale, pavarësisht se numri i popullsisë në kryeqytet është rritur më pak se të dhënat zyrtare para censit.

Në Tiranë, në vitin 2023, u numëruan gjithsej 598,176 banorë ose rreth 40 mijë banorë më shumë se në vitin 2011.

Në 12 vitet ndërmjet dy censeve Tirana është shtuar me rreth 3300 banorë në vit, ose shumë herë më pak se projeksionet e Bashkisë së Tiranës, e cila dha lejet e ndërtimit vitet e fundit, bazuar me një shtesë vjetore të popullsisë në kryeqytet me mbi 16 -20 mijë banorë në vit.

Po nga ana tjetër, në Tiranë jeton gati 26% e popullsisë së vendit, në vitin 2011 në kryeqytet jetonte 19% e popullsisë. Gjithashtu në Durrës, në vitin 2023 jetonte 6.4% e popullsisë, nga 6.3% në vitin 2011.

Në disa qytete, pesha e popullsisë ndaj totalit ka pësuar rënie të ndjeshme ndërmjet dy censeve. P.sh. në Shkodër në vitin 2023 jetonte 4.3% e popullsisë nga 4.8% në vitin 2011. Secila nga 30 bashkitë e vendit ka peshë më pak se 1% të popullsisë totale.

Urbanisti Kaprata tha se përqendrimi i lartë i popullsisë në zonat e mëdha urbane sjell ndërlikime negative në cilësinë urbane të jetesës, modelin ekonomik, strukturën sociale, modelin politik etj.

Të dhënat e Censit tregojnë se bashkitë në Shqipëri kanë një popullsi ende më të lartë se bashkitë në mesin e vendeve të OECD-së, por qeverisë i nevojitet një shpërndarje e re e burimeve dhe politikave.

Sipas të dhënave nga Organizata për Bashkëpunim dhe Zhvillim OECD në 2019-2020, madhësia mesatare e bashkive në mesin e shteteve anëtare të OECD ishte 10,254 banorë, 26% prej tyre kishin më pak se 2,000 banorë dhe 41% kanë më pak se 5,000 banorë.

Në dhjetë vende të OECD-së, 80% e njësive vendore kishin më pak se 5,000 banorë.

Në Ballkanin Perëndimor, njësitë vendore priren të kenë popullsi më të madhe. Në vitin 2021, madhësia mesatare e bashkive ishte rreth 27,500 banorë.

Në Bosnjë-Hercegovinë, Mal të Zi dhe në Maqedoninë e Veriut, bashkitë administrojnë më pak se 30 mijë banorë mesatarisht, ndërsa në Shqipëri më shumë se 70 mijë banorë (me popullsinë e regjistrit civil, mbi 4.2 milionë banorë).

OECD rekomandon se vendet e Ballkanit Perëndimor duhet të kishin marrë për referencë në qeverisjen e pushtetit vendor Francën ose Austrinë, ku njësitë administrojnë më pak banorë.

Shtetet ndërmarrin shpesh reforma territoriale për t’iu përgjigjur ndryshimeve demografike, ndryshimeve socio-ekonomike ose fiskale nga presionet e konsolidimit.

Shqipëria ndërmori një të tillë në vitin 2015, ku përqendroi qeverisjen e pushtetit lokal në 61 bashki, duke konsoliduar mbi 370 komuna në të gjithë vendin.

Proceset e bashkimit të komunave janë zhvilluar në disa vende anëtare europiane dhe të OECD. Bashkimet shihen shpesh si një kërcënim për identitetin lokal dhe trashëgimitë historike, gjë që shpjegon rezistencën në shumë vende (p.sh. Francë, Sllovaki).

Në Shqipëri, reforma territorialë, që zgjeroi madhësinë e qeverisjes vendore, ka përkeqësuar tërësisht cilësinë e shërbimeve, teksa ka lënë zonat rurale pa pjesën më të madhe të shërbimeve – vuri në dukje një analizë e Bankës Botërore vitin e kaluar./ Monitor