Greqi, 23 gusht 2014  – Një zbulim i rëndësishëm arkeologjik është bërë në Greqi. Një varr i lashtë antik është gjetur rreth 80 kilometra në verilindje të qytetit të dytë më të madh të Greqisë, Selanikut. 

Varri  i rrumbullakët në Amfipoli, me gjatësi prej 497 metrash, për të cilin kanë filluar gërmimet rreth dy vjet më parë, daton në periudhën e hershme helenistike, dhe dëshmohet të ketë qenë ndërtuar diku midis viteve 325 dhe 300 para Krishtit, pas vdekjes së Aleksandrit të Madh. 

Ky zbulim i madh pritet që të japë përgjigje të saktë, nëse i përket një prej mbretërve të kohës, pasardhësve të strategut të Madh, apo ndoshta gruas së tij, Roksanës dhe djalit të tij, Aleksandrit të IV.

Ky varr i lashtë ka ndezur përplasjet e para mes Maqedonisë dhe Greqisë. Në një deklaratë në ’Utrinski Vesnik’, arkeologu i  njohur, Pasko Kuzman  vlerësoi se Amfipolisi i përket Maqedonisë, ashtu siç e njohin atë historianët e Shkupit, dhe se aty nuk ndodhet varri i Aleksandrit të Madh. 

/agjencia e lajmeve "Dyrrah"/