Policia australiane ka zbuluar eshtrat e një fëmije 18-muajsh me origjinë shqiptare, të groposur në një varr të cekët në oborrin e një banese në Brookfield, në veriperëndim të Melburnit.
Gërmimet nisën pas informacioneve të reja në lidhje me një zhdukje të dyshimtë. Pas rreth gjashtë orësh kërkime, hetuesit gjetën trupin vetëm 50 centimetra nën dhe, ndërsa ekspertët dyshojnë se mbetjet mund të kenë qëndruar aty për më shumë se një dekadë.
Sipas mediave vendase, fëmija kishte jetuar në atë shtëpi në vitin 2014 së bashku me familjen e tij, e cila më pas është larguar nga Australia, ndoshta drejt Shqipërisë. Në atë kohë, zhdukja e tij nuk ishte raportuar.
Pronari aktual i banesës, që nuk ka asnjë lidhje me familjen, është shprehur i tronditur nga zbulimi.
Autoritetet australiane po hetojnë shkakun e vdekjes dhe mundësinë e një vepre penale, ndërsa kanë nisur kontaktet me institucionet shqiptare për të gjurmuar lëvizjet e familjes dhe për të konfirmuar identitetin e viktimës.





