Një ekspeditë ndërkombëtare shkencore ka zbuluar një realitet alarmues në pikën më të thellë të Detit Mesdhe: edhe thellësitë më të paarritshme të oqeanit nuk kanë shpëtuar nga ndotja njerëzore.

Në zonën Kalipso, rreth 5.100 metra nën nivelin e detit, në Detin Jon pranë Greqisë, studiues nga Instituti Helmholtz i Gjermanisë dhe Qendra Helenike për Kërkime Detare (HCMR) zbuluan një sasi tronditëse mbetjesh. Gjatë zhytjeve me robotë të telekomanduar (ROVs), u identifikuan 167 objekte, ku 148 ishin mbetje njerëzore: qese plastike, kanoçe, copa tekstilesh, shishe qelqi e mbeturina të tjera.

Në disa raste, mbetjet dukeshin të ishin hedhur me qëllim, gjë që ngre dyshime për ndotje sistematike nga anije tregtare apo peshkimi.

“Nuk ka më asnjë cep të oqeanit që nuk është prekur nga dora e njeriut”, deklaroi Antje Boetius, drejtoreshë e Institutit Alfred Wegener dhe pjesë e ekspeditës.

Mesdheu, ndonëse zë më pak se 1% të sipërfaqes së oqeaneve, mban mbi 7% të ndotjes plastike globale, sipas të dhënave të Programit të Kombeve të Bashkuara për Mjedisin (UNEP). Si një det i mbyllur me dalje të kufizuara dhe i rrethuar nga zona me popullsi të lartë, Mesdheu kthehet në një “kurth” për ndotjen.

Në thellësi, plastika dekompozohet shumë ngadalë për shkak të mungesës së dritës dhe temperaturave të ulëta, duke dëmtuar rëndë ekosistemet detare për dhjetëra apo qindra vite.

Pavarësisht ndalimit të hedhjes së mbetjeve nga traktati ndërkombëtar MARPOL, zbatimi i tij mbetet i dobët.

Pas këtij studimi, organizatat Greenpeace dhe Oceana kërkuan masa urgjente, duke propozuar ndalim total të aktiviteteve ndotëse në zonat më të thella të Mesdheut.