·Kritikë mishmashit politik të A. Stefanit

NGA PROF. DR. FATOS TARIFA

Më habisin e më irritojnë ata “analistë”, “brahmanë metafizikë të medias shqiptare”, siç i kam quajtur disa kohë më parë, të cilët, pa pasur formimin e duhur teorik e profesional, bëjnë të gjithëditurin, ekspertin e çdo dukurie dhe gjykatësin e çdo personaliteti publik. Një i tillë është edhe Andrea Stefani, i cili, pak ditë më parë, botoi në gazetën Dita një “analizë” të titulluar “Ministrja Nikolla dhe rilindja e së keqes”.

Z. Stefani i referohet një “deklarate publike” të ministres së Arsimit, znj. Lindita Nikolla, e cila qenka shprehur se Sali Berisha ka kontribuar për demokracinë në Shqipëri. Unë nuk marr përsipër të flas në emër të saj, por nuk mund të rri pa vënë në dukje se ku dhe pse gabon Andrea Stefani. Ai nuk jep asnjë referencë për atë “deklaratë” të ministres së Arsimit. Mungesa e referencës, në këtë rast, nuk është thjesht një çështje teknike, ose fakultative, por ka të bëjë me etikën e komunikimit dhe me vërtetësinë e analizës e të mesazhit që i përcillet publikut. Sidoqoftë, nuk do të merrem me këtë mangësi, por me përmbajtjen e “analizës” së tij.

Z. Stefani mund të mendojë e të shprehë çfarëdolloj sentimenti apo vlerësimi për Sali Berishën; kjo është e drejta e tij. Unë ndaj me të shumë prej vlerësime negative për këtë personazh kryesor të politikës shqiptare të çerekshekullit të fundit. Por, nëse do të arsyetoja më gjerë e më thellë, dhe nëse thënien e znj. Nikolla do e interpretoja në një kontekst historik të dhënë, siç bëjmë zakonisht në shkencën sociale, e tërë analiza e z. Stefani është e pajustifikuar, e sforcuar dhe gabuar.

Si reagim ndaj një fjalie të vetme të znj. Nikolla, për më tepër të shkëputur nga konteksti e të keqpërdorur, të cilën Stefani e cilëson si një “deklaratë skandaloze”, ai vetë prodhon një butafori fjalësh e frazash, shpesh herë pa kuptim e pa lidhje me njëra-tjetrën, që mbushin plot dy faqe gazete. Një diaré arsyetimesh e moralizimesh në formën e silogjizmave që, në mënyrë të sforcuar, përpiqen të provojnë se Ludwig Feuerbach, Erich Fromm dhe Hannah Arendt (autorë të cilëve kam bindjen se Stefani u di vetëm emrat, por nuk ua njeh veprat), kanë pasur parasysh pikërisht këtë “deklaratë” të znj. Nikolla kur kanë folur i pari për të menduarit ndryshe në një kasolle dhe ndryshe në një pallat, i dyti për bindjen “karakteriale” si një “mendësi e rrënjosur në shpirt”, dhe e treta për të mirën si “e vetmja gjë radikale”.

Nga eksperienca kam vënë re se njerëzve me deficite të theksuara arsimore e kulturore u pëlqen të citojnë, vend e pavend, shprehje e aforizma nga autorë në nuk i kanë lexuar e nuk i njohin dhe, për këtë arsye, nuk janë në gjendje t’i vendosin mendimet e tyre në atë kontekst në të cilin ato janë formuluar. Feuerbach, Fromm dhe Arendt janë vite drite larg kontekstit në të cilin përpiqet t’i vendosë këta autorë Andrea Stefani. Ata kanë shprehur ide krejt të tjera nga ato që forcërisht përpiqet të argumentojë ky analist. Nuk thonë kot, sa më pak të dish, aq më i ditur beson se je.

Artikulli i Stefanit është një “kritikë” asimetrike e shproporcionale ndaj një shprehjeje të vetme të znj. Nikolla, që nuk gjen justifikim e mbështetje as në veprimtarinë politike, as në manifestimet publike të filozofisë së saj politike. Në fakt, artikulli i tij s’është gjë tjetër veçse një përpjekje tejet e sforcuar dhe e dështuar për të pjellë një “argument” kundër saj. Në gjuhën e popullit kësaj i thonë: Mbarsi Andrea një mal për të pjellë një mi, por as miun s’e polli dot.

Edhe nëse znj. Nikolla vërtet është shprehur se Berisha ka kontribuar për demokracinë (nuk i vura në thonjëza fjalët e saj, pasi nuk di saktësisht si janë thënë dhe Stefani nuk na thotë se ku i ka thënë ajo këto fjalë), mendoj se,në një kontekst të caktuar dhe në një kuptim real të fjalës,ky pohim mund të pranohet si i vërtetë. Janë jo të pakta rastet kur figura të njohura kanë luajtur një rol kontradiktor në histori (për të mos dhënë përshtypjen e gabuar se e krahasoj Sali Berishën me ndonjërin prej tyre nuk po përmend emra). Pavarësisht se sa keq ka udhëhequr Berisha gjatë viteve që ka qenë në pushtet dhe sa destruktiv ka qenë ai në krye të opozitës, pavarësisht dëmeve dhe vuajtjeve që u ka shkaktuar shqiptarëve në këto vite të vështira e të gjata tranzicioni, unë, si shumë të tjerë, mendoj se, në fillimet e tranzicionit, ai ka dhënë një kontribut në përshpejtimin e rënies së sistemit të socializmit shtetëror dhe në vendosjen e themeleve të një sistemi politik pluralist e demokratik. Edhe nëse Stefani nuk është dakord me këtë pohim, unë gjykoj jo duke vështruar nga perspektiva e tij e ngushtë dhe, aq më pak, me syzat e tij, por nga një perspektivë historike e krahasuese. Ajo që Berisha u bë pas viteve të para të tranzicionit është “a horse of a different color”. Por, këtu nuk dua të zgjatem më tej me Sali Berishën, por me atë që më dha motivin të shkruaj këto radhë, analistin Andrea Stefani.

Stefani rreket mundimshëm të zbulojë “shkaqet” që e bënë ministren Nikolla të “lëshojë atë deklaratë”, dhe ja cilat shkaqe zbulon ky “guru” i analizave mediatike: (1) “Mungesa e dedikimit [nga ana e znj. Nikolla] për të vërtetën e, për rrjedhojë, edhe për të drejtën” (!); (2) “Mungesa e empatisë (dhimbjes si për vete, sqaron Stefani) për të gjithë ata që kanë vuajtur pasojat e krimeve dhe korrupsionin berishist” (!!); (3) “Leximi i gabuar [nga znj. Nikolla]dhe iluzioni i saj se aleanca qeverisëse u rivotua përsëri me 1 milion vota për reformat vërtet të nevojshme për rilindjen e shtetit” (!!!); (4) “Premisa për një riorientim politik” [e znj. Nikolla] (!!!!).

Këto janë “zbulimet” e mëdha të Andrea Stefanit, të cilat, sipas tij, provojnë dy gjëra: Së pari, se Berisha nuk ka kontribuar “as edhe një atom për demokracinë” shqiptare dhe, së dyti, se znj. Nikolla e paska “harruar” këtë të vërtetë dhe kjo, sipas Stefanit, është “tragjike”, pasi “harrimi i të vërtetave të mëdha është premisë gabimesh të mëdha”.

Një deduksion filozofik i hatashëm i z. Stefani, i mbështetur mbi një varg arsyetimesh të sforcuara mbi dallimet mes “së mirës” dhe “së keqes”, “së drejtës” dhe “të padrejtës”, bindjeve “afatshkurtra” e atyre “afatgjata”, bindjeve “karakteriale” dhe “ideve të shpirtit”, “radikalizmit” dhe “ekstremizmit”—të gjitha këto, pa asnjë lidhje logjike me znj. Nikolla dhe me thënien e saj. Stefani i shkon analizës së tij deri në aspektin logjiko-formal dhe atë leksikor, duke i konsideruar koncepte të tilla si “e mira” dhe “e drejta” sinonime, pasi, thotë ai, “edhe në gjuhën angleze e drejta përdoret edhe si e mirë (right)”. Në anglishten e z. Stefani ndoshta, por jo në anglishten që lexoj, flas dhe shkruaj unë, as në anglishten e atyre popujve që këtë gjuhë e kanë gjuhën e tyre. Thjesht një shembull: e mira publike në anglisht quhet “public good”, dhe jo “public right”. Në anglisht, fjala “good” (e mirë), ka më shumë se 150 kuptime dhe përdorimi i saj në kuptimin “e drejtë” është vetëm njëri prej tyre, që s’ka të bëjë aspak me atë çfarë përpiqet të argumentojë Andrea Stefani.

Stefani ka shkruar një analizë për Sali Berishën dhe s’kishte asnjë arsye t’i vinte shkrimit të tij një titull me emrin e znj. Nikolla, veçse nëse ka dashur, i dëshpëruar, të tërhiqte vëmendjen e publikut dhe të bëhej kështu edhe ai “pjesëmarrës” në debatin mbi ligjin e ri për arsimin e lartë. Kjo nuk është ndershmëri profesionale, siç edhe nuk është burrëri të fyesh një zonjë të nderuar e të përmendësh kostumet dhe fustanet e saj.

Shkrimi i Andrea Stefanit i ngjan rrëfimit të rremë të gjahtarit që, pasi është kthyer shumë herë nga gjahu duarbosh, rreket t’u mbushë mendjen të tjerëve se këtë herë ka qëlluar në shenjë dhe e ka vrarë prenë e tij – këtë herë jo një pre dosido, por vetë ministren e Arsimit. Në fakt, ata që e dëgjojnë rrëfimin e Stefanit qeshin me “aftësitë” dhe mburravecjen e tij, njëlloj si fshatarët e Andersenit që qeshnin me “veshjen e re” të mbretit lakuriq.

Dëshiroj të tërheq vëmendjen e lexuesit në një episod që Stefani e konsideron turp dhe disfatë për ministren e Arsimit. Shumë nga ju, lexues të nderuar, që e ndoqët në TV atë seancë parlamentare ku u diskutua dhe u votua ligji për arsimin e lartë, mund ta keni vënë re se, në një moment të caktuar, pas fjalës së ish-kryeministrit Berisha, znj. Nikolla la vendin e saj në podium dhe shkoi e u ul në sallë pranë z. Berisha. Me këtë veprim, thotë “analisti” Stefani, ministrja e Arsimit “u rrek të merrej vesh me Berishën” dhe kjo do të thotë se ajo “nuk ka marrë vesh se Berisha ka për taktikë mosmarrëveshjen”, dhe se është “nevoja e tij për mbijetesë që e shtyn ta kundërshtojë [ligjin për arsimin e lartë] dhe jo injoranca”. Këtë“paaftësi” të znj. Nikolla për të kuptuar Berishën, Stefani e konsideron si një “naivitet dhe dështim të ministres së Arsimit në rrafsh politik”, sepse Berisha nuk e votoi ligjin, dhe si një “zgërlaqje në rrafshin etik, po të mbajmë parasysh se Berisha nuk u frenua t’i përmendte ministres edhe diplomën e Universitetit Kristal” (!)

Pohimet dhe vlerësimet e mësipërme provojnë edhe një herë paaftësinë e z. Stefani për të bërë analiza, çka do të thotë se, përtej mungesës së një profesioni të vërtetë, ai nuk di ta ushtrojë as hobin e tij si “analist”. Në mungesë të fakteve e të provave të sigurta, esenciale për çdo gazetar apo analist mediatik, Stefani i lejon vetes të spekulojë, të dezinformojë e të denigrojë një figurë publike shumë të nderuar dhe, ndoshta, një ndër anëtaret më të vlerësuara të këtij kabineti qeveritar.

Fatmirësisht, unë isha ftuar ta ndiqja nga afër, në Kuvend, seancën nëntorëshe në të cilën u diskutua dhe u votua projektligji për arsimin e lartë. Dhe, krejt ndryshe nga z. Stefani, mund të them se, atë mbrëmje, nëse kishte ndonjë gjë, mes diskutimeve të shumta e shpeshherë bajate, që tërhoqi për mirëvëmendjen e të pranishmëve në sallë (dhe unë besoj edhe vëmendjen e një pjese të gjerë të publikut), ky ishte veprimi i urtë e kurajoz i znj. Nikolla, që ju ul në krah z. Berisha, pikërisht në “transhenë” e kundërshtarëve të saj politikë, për t’i dhënë atij këto mesazhe: (1) një burri malësor [si Sali Berisha] nuk i ka hije dhe nuk i bën nder të fyejë një grua; (2) ajo grua, e cila sot është ministre e Arsimit të këtij vendi, është diplomuar për matematikë në Universitetin e Tiranës, jo në atë që përmendi Berisha në fjalën e tij; dhe (3) projektligji për arsimin e lartë është i mirë, prandaj edhe duhej votuar.

Për Andrea Stefanin, veprimi i znj. Nikolla ishte naiv dhe shprehte dështim e dobësi. Ai përdor fjalën “zgërlaqje”, një fjalë e padenjë për dikë që pretendon se di të komunikojë me publikun. Në fakt, mungesa e një justifikimi të mjaftueshëm për të botuar një “analizë” të tillë dhe, sidomos, zgjedhja e fjalëve të përdorura nga z. Stefani, më çojnë në përfundimin se atij ose i mungon etika profesionale më elementare, ose, me këtë shkrim ka përmbushur një porosi për të tjerë.

Sa i vogël tingëllon ky “analist”! Dhe mua më vjen t’i them: Listen, little man! Besoj e ke lexuar një libër të vogël të William Reich-it që mban këtë titull; ai është shkruar për njerëz si ty.

 “Naivitetin” e znj. ministre të Arsimit atë mbrëmje në Kuvend unë e vlerësoj si një mendim dhe veprim shumë të zgjuar të saj, shumë herë më të zgjuar se llomotitjet e tua. “Dështimin politik” të saj e konsideroj triumf mbi kundërshtarin sepse, në fund të fundit, ligji u miratua. “Zgërlaqjen” e saj (edhe një herë turpi mbetet mbi ty për këtë fjalë aspak të gjetur), e konsideroj epërsi mbi kundërshtarin politik, sepse përballë dobësisë së tij (dhe tëndes), që merreni me gra më të zonja se ju, dhe u përmendni veshjet, ishte znj. ministre që mori iniciativën të ulej e të bisedonte me kundërshtarin e saj politik, duke dhënë një shembull se, kur është fjala për një të mirë publike, si arsimi i lartë, dhe për interesat e vendit, transhetë dhe llogoret e luftës politike nuk duhet të bëhen pengesë për arritjen e qëllimeve të përbashkëta në dobi të interesave të vendit e të popullit.

Edhe qeveritë më demokratike në botë janë ulur të bisedojnë e të merren vesh me qeveritë më despotike: Franklin Roosevelt dhe Winston Churchill u ulën në bisedime dhe formuan një aleancë me një diktator si Stalini; Shtetet e Bashkuara u ulën në Dejton në bisedime me një satrap si Slobodan Milosheviçi dhe, po kështu, negociuan me diktaturën më çnjerëzore, Korenë e Veriut, si pjesë e bisedimeve gjashtëpalëshe, dhe vetëm dy javë më parë, SHBA bashkë me Francën, Gjermaninë, Anglinë, Kinën dhe Rusinë, pas shumë negociatash me Iranin, arritën një marrëveshje historike me këtë shtet teokratik. Politika, në thelbin e saj, është negociim, përpjekje për t’u marrë vesh, një luftë me mjete paqësore. Nëse ju, z. Stefani nuk e kuptoni këtë parim elementar, analizat tuaja politike nuk ka se si të bëjnë më shumë kuptim sesa shkrimi juaj i fundit.

Marrë nga “MAPO”, 27 korrik 2015