Presidenti Ilir Meta ka reaguar pas zbulimit të një varri masiv në Përmet që dyshohet se janë viktima të regjimit komunist.

Përmes një postimi në “Facebook” ai i bën thirrje institucioneve që të zbardhin me transparencë të vërtetën dhe dënimin e krimeve monstruoze të diktaturës.

Meta thotë se të ekzekutuarit padrejtësisht meritojnë vendprehje dinjitoze dhe respekt të plotë në mënyrë që shpirtrat e tyre të pushojnë të qetë.

“U njoha për zbulimin në Përmet, sipas të dhënave paraprake, të një varri masiv, ku dyshohet se prehen viktima të represionit dhe terrorit të diktaturës. I nxis institucionet përgjegjëse shtetërore për zbardhjen me transparencë dhe ndriçimin e së vërtetës. Të ekzekutuarit padrejtësisht dhe martirët e pafajshëm meritojnë një vendprehje dinjitoze, respektin e plotë dhe nderimin e duhur shtetëror.

Theksoj me forcë domosdoshmërinë, jo vetëm të dënimit të krimeve monstruoze të diktaturës, por edhe gjendjen e të gjitha viktimave të atij regjimi mizor, në mënyrë që shpirtrat e tyre të pushojnë në paqe duke u dhënë njëherë e mirë qetësi dhe ngushëllim familjarëve e pasardhësve të tyre, por edhe të gjithë shoqërisë” – shkruan Meta.