Tre persona ranë në pranga mbrëmjen e djeshme në portin e Durrësit, pasi tentuan të transportonin 550 mijë paketa kontrabandë, me një vlerë që kap shifrat e 1.5 miliardë lekëve (të vjetër).
Në kuadër të operacionit të realizuar me sukses i koduar me emrin “Eklips”, u bë i mundur arrestimi në flagrancë i shtetasve:
Irfan Ameti, 46 vjeç, lindur në Maqedoni dhe banues në Tiranë;
Gjuljen Sami, 52 vjeç, lindur në Turqi dhe banues në Maqedoni;
Ilir Dengu, 53 vjeç, banues në Tiranë.
“Në bazë të informacioneve të marra nga shërbimet homologe të huaja u ushtrua kontroll në kamionin me targa AA 679 KU dhe me trailer TR 0349 R, me drejtues shtetasin Ilir Dengu, ku u gjetën dhe u sekuestruan në cilësinë e provave materiale rreth 550 000 paketa të markës “Merhaba”, me vlerë në tregun e lirë 154 000 000 lekë të rinj dhe kamioni me targa AA 679 KU”, njoftuan sot burime zyrtare të policisë.
Nga të njëjtat burime, mësohet se malli i sekuestruar ishte ngarkuar në Mal të Zi dhe nuk kishte dokumentacionin e rregullt dhe destinacion të përcaktuar.
Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës për veprime të mëtejshme për veprat penale “Kontrabanda me mallra që paguhet akcizë” dhe “Riprodhimi pa të drejtë i veprës së tjetrit”.
S.L.





