KOSOVE, 28 shkurt 2013– Policia e Kosovës ka arrestuar tre persona si dhe ka sekuestruar rreth 30 kilogramë lëndë narkotike.

Sipas burimeve zyrtare policore të Kosovës mësohet se fillimisht është prangosur 52-vjeçari me inicialet M. T, të cilit në automjetin tip “Golf III”, me targa të Kosovës i janë gjetur dhe sekuestruar 13 paketime të përgatitura me substancë narkotike të llojit kokainë.

Më pas, gjatë kontrollit të ushtruar në banesën e tij uniformat blu i kanë gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provave materiale 32 kg e 676 gramë substancë narkotike, që dyshohet të jetë marijuanë.

Gjithashtu policia gjeti dhe sekuestroi edhe dy revole me nga një karikator, 2 telefona celularë, 475 euro si dhe automjetin tip “Golf”.

Ndërkohë në sajë të një operacioni të dytë, agjentët e anti-drogës në Mitrovicë, arrestuan edhe 35-vjeçarin me inicialet F. G si dhe 26-vjeçarin me inicialet Z. M, të cilëve gjatë kontrollit u është gjetur dhe sekuestruar 626.3 gramë substancë narkotike që dyshohet të jetë marijuanë.