KALIFORNI, 27 shkurt 2013 – Më shumë se 50 poema të papublikuara të shkrimtarit Rudyard Kipling, janë zbuluar nga një studiues amerikan.

Thomas Pinney, i ka gjetur poemat në një numër vendesh përfshirë disa shtëpi që ishin duke u rinovuar, shkruan BBC.

Studiuesi amerikan ka thënë se ky është një lajm i mirë për artdashësit dhe ata që i duan poemat e shkrimtarit.

Raportohet se ato do të publikohen më 7 mars bashkë me 1300 poema të tjera të shkrimtarit që do të shfaqen komplet për publikun.

Studiuesi amerikan Pinney, i cili është edhe profesor i gjuhës angleze në Universitetin e Kalifornisë ka thënë: “Kipling është neglizhuar për një kohë të gjatë nga studiuesit. Nuk e di pse ka ndodhur kjo, ndoshta ka ndodhur për arsye politike. Mendoj se këto që janë gjetur janë një thesar i vërtetë, ato janë të papublikuara”.

Kipling i cili jetoi nga 1865 deri më 1936, është i njohur për shkrimet e tij të shkurtra imagjinare. Ai ishte një nga shkrimtarët më të njohur në Angli në fund të shekullit 19 dhe në fillim të shekullit 20.