Pak muaj më parë, ylli i muzikës pop Rita Ora shkeli rregullat e izolimit që ishin vendosur në Britaninë e Madhe, pasi ajo organizoi një festë në 30-vjetorin e saj.
Rita organizoi një festë në fshehtësi të plotë me 30 miq, në restorantin “Casa Cruy” në Londër, duke thyer rregullat e qeverisë britanike për të parandaluar përhapjen e pandemisë së koronavirusit.
Së fundmi, të tjera detaje kanë dalë në pah lidhur me ngjarjen e bujshme. Mësohet se stafi i artistes i ofroi restorantit në fjalë plot 6 mijë e 800 dollarë për të thyer rregullat e virusit. Po kështu, kamerat e sigurisë u fikën menjëherë, teksa të ftuarit mbërritën mbrëmjen e 28 nëntorit, gjatë mbylljes së dytë në Mbretërinë e Bashkuar.
Sipas policisë, mësohet se kamerat në fjalë u rindezën dhe u formatuan dy ditë më pas, duke mos lënë kështu asnjë gjurmë të imazheve të muajit të shkuar. Në dëshminë e dhënë nga ana e pronarit, Scottie Bhattarai mësohet se dikush e telefonoi në celularin e tij personal rreth orës 5 e 30 të pasdites.
Ai tregon se personi në fjalë, pjesë e stafit të Ritës kërkonte një vend ku mund të pihej. Sipas tij, marrëveshja ishte për vetëm shtatë persona, por teksa ora shënonte 9 e darkës, kishin mbërritur plot 20 vetë, përfshirë modelen Cara Delevigne, motrën e saj Poppy e shumë të tjerë.
Policia u telefonua në mesnatë, çka solli ndëhyrjen e efektivëve dhe përfundimin e festës. Pas publikimit të skandalit nga “The Sun”, Rita doli vullnetare për të paguar gjobën prej 10 mijë paundësh.





