Tiranë, 12 prill 2014 – Suplementi i së shtunës në gazetën “Panorama”, zbardh detaje nga banesa e re e çiftit kryeministror. “Panorama Plus” shkruan sot se çifti kryeministror po negocion për të blerë tokë shtesë për liqen artificial.
Në 4600 m katrorë sipërfaqe e blerë nga Linda 10 vite më parë shtrihet banesa e re e Ramës, e cila përfundon këtë verë.
Kilometrazhi i makinës, kur nis guidën nga Kryeministria për t’u ngjitur në fshatin Surel në malin e Dajtit në lindje të Tiranës, shënon vetëm 12 kilometra. Por Kryeministrit Edi Rama, për t’u kthyer nga puna në banesën e re që po ndërtohet në këtë fshat, do t’i duhen më shumë se 25 minuta nëse do të udhëtojë në rrugën aktualisht me gropa, që të çon në fshatin Surrel në majën e Dajtit.
Sidoqoftë do ia vlejë, për klimën e pastër dhe rrezet e diellit që ndriçojnë njësoj çdo cep të ndërtesës gri, me dy rrathë simetrikë dhe që do të jetë oazi i tij i qetësisë larg zhurmës dhe ndotjes së metropolit.
Banorët e këtij fshati zbulojnë misterin e rezidencës së re të Kryeministrit, ku do të vendoset të jetojë si baba rishtazi këtë verë, pas martesës me Linda Bashën, ndërkohë që njëri prej tyre rrëfen se investimi i çiftit Rama nuk do ndalet me kaq. Ata kërkojnë të blejnë ende tokë.
/gazeta “Panorama”/





