23 dhjetor 2014 – Pavarësisht mohimeve të vazhdueshme, emri i Rezart Taçit vazhdon të jetë i lidhur ngushtë me skuadrën e Parmës. Presidenti i përkohshëm i klubit emilian, avokati Fabio Xhordano, nuk ka bërë publikë emrat e pronarëve të klubit që gjendet në Serinë A. Por dokumentet e krijimit të kompanisë që ka në pronësi kuotat kontrolluese të aksioneve të klubit, “Dastraso Holdings Ltd”, konfirmojnë se drejtor i saj është Petrit Doka, argjendari shqiptar që është i lidhur ngushtë me Rezart Taçin. Gazeta “Il Mattino di Parma” ka publikuar një ditë më parë dokumentin e krijimit të kompanisë dhe sipas saj janë dy detaje mjaft interesante që bien në sy. I pari është se drejtori i përgjithshëm i saj vazhdon të jetë Petrit Doka, argjendari shqiptar i cili pak ditë më parë refuzoi të mbante postin e presidentit të skuadrës emiliane.
Mbetet për t’u parë nëse vendimi i tij për të qëndruar larg klubit do të pasqyrohet në javët e ardhshme edhe në dokumentet e kompanisë që zotëron 66.55% të aksioneve të Parmës, apo nëse ai do të kthehet të jetë pjesë e stafit drejtues të tij, pasi presidenti i përkohshëm, Fabio Xhordano të lërë detyrën. Ajo që gazeta italiane cilëson edhe më të rëndësishme është data e krijimit të kësaj kompanie, 7 nëntor 2014. Sipas saj, kjo do të thotë se kompania në fjalë u ndërtua vetëm me qëllimin për të blerë klubin e Parmës, që një muaj më parë. Asokohe u fol për një kompani që kishte marrë përsipër blerjen e klubit nga Tomaso Girardi, kompani që kishte firmosur një parakontratë, e cila më vonë u anulua. Falë asaj lëvizjeje, klubi nuk arriti të paguante në kohë detyrimet financiare dhe iu hoq një pikë nga klasifikimi në Serinë A.
Edhe atëherë, mediat italiane kishin përfshirë Taçin në marrëveshje, duke e bërë atë një person gjithnjë e më shumë protagonist në blerjen e klubit. Në dokumente nuk figurojnë emrat e investitorëve të tjerë të kësaj kompanie, por konfirmohet se “Dastraso Holdings Ltd” është një grup investimi ruso-qipriot, që mendohet se është krijuar nga Rezart Taçi. Sipas gazetës italiane, përfshirja e biznesmenit shqiptar është më se e sigurt, pasi ai ka marrëdhënie bashkëpunimi tregtare si në Rusi, ashtu edhe në Qipro, është klient i avokatit Fabio Xhordano, si dhe ka partner biznesi argjendarin Petrit Doka. Emri i tij si pronari i ri i skuadrës pritet të dalë vetëm pasi të miratohet bilanci financiar i klubit dhe të përcaktohet strategjia për të mbajtur Parmën në Serinë A.





