Bashkë me zgjedhjet parlamentare, më 25 qershor, qytetarët e Kavajës do të zgjedhin edhe kryebashkiakun e tyre të ri.
Në një kohë që gara pritet të jetë e ashpër, zërat po shtohen çdo ditë e më shumë se kush do të jenë kandidatët për kryetarë bashkie nga forcat politike, që do të zënë këtë post, pas dorëheqjen së Elvis Rroshit. Ndonëse zgjedhjet për kryetar bashkie të këtij qyteti ishin planifikuar që më 7 maj, ato u anuluan.
Burime të besueshme për GSH.al kanë bërë të ditur se Partia Demokratike, e ka vendosur se me cilin kandidat do të konkurrojë në këto zgjedhje, ku kërkon të fitojë Bashkinë Kavajë.
Kështu po të njëjtat burime kanë deklaruar për GSH.al se opozita nesër pritet të zyrtarizojë kandidaturën e kreut të bashkisë Kavajë. Mësohet se ai është Isa Sakja, aktualisht mban postin e kryetarit të degës së PD-së Kavajë. Nga ana tjetër, nuk dihet nëse Partia Socialiste do të paraqesë të njëjtin kandidat, që ishte edhe për zgjedhjet e 7 Majit, por që u anuluan, ajo e Klodian Shehit.
“Do të rikandidoj sërish. Kam mbështetjen e bazës dhe të kryeministrit” është shprehur Shehi për mediat, një ditë pas lajmit të anulimit të zgjedhjeve dhe dorëheqjes së tij nga kandidat për kryetar bashkie Kavajë.
Dhe kjo deklaratë e tij lë vend për diskutime nëse do ta propozojë sërish Partia Socialiste apo jo për kryetar bashkie.
Në rast se po, atëherë ai do të ketë përballë kandidatin që pritet të zyrtarizohet nga PD-ja nesër, Isa Sakja. Gjithsesi, gjithçka mbetet për t’u parë.





