Itali, 28 qershor 2014 – Policia e rajonit të Friuli-Venecia, që nga dhjetori 2013, po hetonte një grup trafikantësh kanabisi, që furnizonin tregun e veriut të Italisë me qindra e qindra kilogram drogë. Në dhjetorin e kaluar, në kufirin italo-slloven u kap një kamion me kanabis dhe ngarkesë legale lëndë druri e eksportuar nga Durrësi me destinacion Austrinë, por që do të kalonte nga Treviso. Nga kontrolli i  kontakteve telefonike të shoferit të kamionit, rezultoi që bashkëpunëtor në këtë trafik ishte një kamarier pa precedentë penalë, që nuk binte fare në sy të forcave të rendit.

Ai ishte Ilirjan Dednika, 28 vjeç. Policia me metodat speciale të hetimit e vuri në mbikqyrje Dednikën, por Ilirjani si profesionist i mirë bëri maksimumin për tju shmangur kësaj mbikqyrje. Ai çdo muaj ndërronte banesë, thuajse çdo javë ndërronte makinën dhe kur duhet të bënte një takim për çështje droge e parkonte makinën qindra metra larg vendtakimit duke u ruajtur, nëse ndiqej nga policia apo jo.

Dednika madje në shkurt kontrolloi me aparaturë makinën dhe zbuloi pajisjen GPS, të vendosur nga policia për të kontrolluar lëvizjet e makinës. Menjëherë Ilirjani u zhduk nga qarkullimi duke ia mbathur në Shqipëri.

Kuptohet që Dednika ishte një eksponent i lartë i trafikut të kanabisit Shqipëri-Itali, madje ishte edhe i trajnuar për t’u ruajtur nga mbikqyrja e policisë. Vetëm një javë më parë, Dednikaj kthehet në Itali dhe gabon duke rënë në sy të policisë. Kontrollohet menjëherë bodrumi i banesës së Dednikajt në katin përdhes të një pallati tre katësh në Rrugën “Don Milani”. Në magazinë policia sekuestroi 441 kg. kanabis, 80 gramë kokainë, 6 000 euro, pajisje për ambalazhim kanabisi etj.

U sekuestrua edhe vetë apartamenti dhe një vilë në qytezën e Bredas, në pronësi të Dednikës. U arrestua jo vetëm Ilirjan Dednika, por edhe Ervis Zhupaj, 26 vjeç, që shërbente si shofer dhe truprojë e Dednikës. Policia shpreson që Dednika të bashkëpunojë me drejtësinë për të mësuar, cilët janë shefat e trafikantit në Shqipëri dhe cilat janë kontaktet e nivelit të lartë me kriminalitetin italian.

/gje. th. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/