Kreu i LSI-së së Durrësit, ministri i Mjedisit Lefter Koka, ka shtruar një darkë për rreth 400 gra aktiviste e jo vetëm, me rastin e 8 Marsit në restorant “Ventus”.

Aktiviste të LSI-së në Durrës, përfaqësuese të shoqërisë civile, anëtare të Këshillit Bashkiak, gra në karrierë, kanë qenë të ftuara mbrëmjen e shkuar në darkën e shtruar me rastin e kësaj feste.

Zëvendësministrja Nora Malaj, drejtore e Arsimit Lindita Muka, zonja Miranda Koka, drejtuese të institucioneve në nivel vendor e qendror ishin të pranishme.

Në të gjitha tavolinat ka shkuar duke iu uruar festën e nënës ministri Koka, i cili ka thënë se angazhimi i grave në politikë, jo vetëm që ka zbutur tonet e ashpra por angazhimi i tyre është shumë i rëndësishëm sepse gratë në të gjitha strukturat e LSI-së por edhe në përfaqësimin në Parlament e qeverisje lokale janë potencialisht të barabarta me burrat.

“LSI do të vijojë të jetë pararojë e përfaqësimit të barabartë të grave në vendimmarrje”, pohoi Koka.

Duket se këto deklarata janë mirëpritur nga gratë, pasi edhe në foto shikohet gëzimi i tyre.

Nuk ka munguar edhe ahengu që zgjati për disa orë në restorantin luksoz.

K.H.