26 tetor 2013- Pas emërimit të zonjushës gjithë klas Laura Vorpsi, si zëdhënëse e selisë së Partisë Demokratike (PD-së), interesi për jetën e saj private ishte i madh në publik. Për miqtë e afërt të saj, lidhja e Laurës me ish-misterin nga Tirana, Gerald Shahu, ishte një lajm i vjetër, ndërsa për publikun kureshtar, lajmi i botuar në shtypin rozë në fillim të vitit u komentua si historia e bukur e një çifti perfekt të lindur për njëri-tjetrin. Por pavarësisht lajmit, foto të çiftit së bashku nuk u botuan asnjëherë, për faktin se ata të dy u treguan të rezervuar dhe hermetikë në lidhje me ekspozimin e lidhjes së tyre në media, duke e konsideruar tërësisht një çështje private. Tashmë që Laura vazhdon punën si zëdhënëse e selisë blu, me kryetarin e ri të PD-së, Lulzim Basha, kemi mundur të zbulojmë anën tjetër të jetës së saj private, atë të lidhjes dyvjeçare me Geraldin. Ai është një nga djemtë më të pashëm në Tiranë, edhe pse kanë kaluar kohë që nga viti 2003, kur ai kur u shpall “Mister Albania 2003”, një spektakël i Vera Grabockës dhe Ardit Gjebresë. Në fotot që shihni, ata janë fotografuar së fundi në momente pushimi, udhëtimi, apo argëtimi në Shqipëri dhe jashtë, vetëm në shoqërinë e njëri-tjetrit. Në fillim të daljes së saj si zëdhënësja e deklaratave të forta politike të Partisë Demokratike, Laura hezitoi të përmendte emrin e të dashurit të saj, duke u mjaftuar vetëm me faktin se ishte e dashuruar dhe ndihej e lumtur. Pas zbulimit të emrit të tij në media, të gjithë kureshtarët u hynë kërkimeve në internet për të kujtuar portretin e ish-misterit, pasi në këto 10 vite ai ka vazhduar jetën e tij profesionale larg botës së televizionit. Viti kur konkurroi Geraldi, ishte i dyti që organizohej në Shqipëri për të shpallur më të bukurin e meshkujve. Më pas, emri i Geraldit, i cili në atë kohë studionte Anglisht në Shkollën e Gjuhëve të Huaja në Tiranë, u përmend me pjesëmarrjen  e tij në “Mister World”, aktivitet ky që organizohej në Angli. Tashmë shfaqja e Laurës në podiumin e PD-së e risolli sërish emrin e ish-misterit në faqet e shtypit. Prezantimi i Laurës si zëdhënëse e PD-së u shoqërua me aludime se ajo ishte pozicionuar në këtë post të rëndësishëm për të qenë imazh i selisë blu, direkt nga profesioni i modeles. Shkak për këtë hamendësim u bënë disa foto private të saj, të shpërndara në sitet online në internet, foto profesionale të realizuara për hobi nga Laura, pasi në vitet e gjimnazit kishte pasur pasion fotografinë. Ajo deklaroi vetë më pas se nuk kishte asnjë lidhje me modën dhe se profesioni i saj ishte ai i pedagoges në Fakultetin e Juridikut. Laura pohoi gjithashtu se nuk është rastësisht në PD, pasi vjen nga një familje autoktone tiranase, e persekutuar në kohën e regjimit komunist. Ndërkohë, 26- vjeçarja simpatike ende nuk ka bërë një rrëfim personal për jetën, për të zbuluar më shumë rreth lidhjes së saj me ish-misterin dy vite më të madh se ajo, dhe nëse kanë planifikuar ndonjë martesë në të ardhmen. 

/panorama plus/