Bazuar në informacionet e marra në rrugë operative, shërbimet e Policisë të Stacionit të Policisë Memaliaj në bashkëpunim me efektivët në Gjirokastër, kanë organizuar dhe zhvilluar operacionin e koduar "Vjosa", në kuadër të të cilit u sekuestruan një arsenal armësh si dhe një sasi lënde narkotike.
Si rezultat, në afërsi të fshatit Leshnje, Bashkia Memaliaj, në një zonë mes shkurresh e pemësh, në afërsi të shtratit të lumit Vjosa janë konstatuar të fshehur dhe të mbyllur me çelësa dy furgona të bardhë të markës 'Mercedes Benz' me targa të falsifikuara.
Gjatë kontrollit grupi hetimor konstatoi se në brendësi të furgonave kishte pako me lëndë narkotike dhe armë zjarri dhe konkretisht:
• 16 armë zjarri (1 snajper, 12 kallashnikovë, 2 pushkë dhe 1 armë gjahu).
• 1 ton e 463 kilogramë lëndë narkotike Cannabis Sativa (prodhuar më herët, një pjesë e ngurtësuar drejt dekompozimit).
Si rezultat i presionit të kontrollit të ushtruar javët e fundit në atë territor nga shërbimet e Policisë për evidentimin e personave që mund të mbajnë armë e lëndë narkotike me qëllim trafikimin e saj, personat që dispononin lëndën narkotike dhe armët e zjarrit i kanë fshehur në pyll me qëllim shmangies së kontrollit.
Operacioni ndiqet me metoda speciale dhe për këtë arsye nuk mund të jepen të dhëna të tjera.





