Vetëm ditët e fundit kur po afrohej ardhja e tij është folur për prezencën e reperit amerikan në Durrës. Menjëherë u publikua lista e çmimeve, të jemi realistë ishin të çmendura, 3 mijë euro një tavolinë i trembi të gjithë. Chris Brown u prit sikur të ishte një këngëtar i vogël, që nuk njihej, një numër shumë i vogël ishin të pranishëm në koncert.
Në një material të përgatitur nga Prive, tregohen prapaskenat e koncertit të mbrëmshëm në Durrës, mungesa e publikut, çmimet stratosferike të tavolinave dhe vendimi i reperit për t’u larguar nga skena vetëm pas 22 minutash.
Nervozizmi i këngëtarit ka shkuar deri edhe te kamerat, të cilat po prisnin një konferencë për shtyp, siç ishte programuar, pas koncertit. Ai duhej të ngjitej në skenë në orën 11 e pak, por mungesa e njerëzve bëri që këngëtari të priste edhe disa orë më shumë, por asgjë nuk ndryshoi, edhe në orën 2 kur ai doli, numri i njerëzve ishte i pakët.
Kjo sigurisht e nervozoi keq këngëtarin, i cili u largua shumë shpejt nga skena, ndërsa ajo që do mbahet mend janë çmimet e larta, që ua mbajti xhepi vetëm bosave.
Videoja e mëposhtme tregon gjithçka që ndodhi më 8 korrik në Durrës.





