Prej disa sezonesh, Tv Klan po sjell njëri pas tjetrit formate të spikatura dhe të suksesshme ndërkombëtare duke i implementuar edhe për publikun shqiptar. Dhe nuk ka mbaruar ende me risitë.

Drejtori ekzekutiv në Televizionin Klan, Armand Shkullaku zbuloi nga studio e emisionit “Rudina”, programet e reja që pritet të nisin së shpejti, shkruan class.

"Në Klan, aktualisht po gjejmë ato hapësira ku ka ende vend ku Klani ta thotë fjalën e tij. Pra, të mos lëmë më asnjë hapësirë bosh në kuptimin e komunikimit me publikun. Më shumë muzikë “C’est la vie”, është programi i kuzhinës “Kush vjen për drekë”, gjetëm një hapësirë dhe e vumë. Një hapësirë tjetër që duhet parë është koha e paradites, ku synimi është të heqim tërësisht ritransmetimet dhe për t’i mbushur ato me programe që i përshtaten publikut në atë orë. Normalisht, duhet bërë. E shtuna dhe e diela paradite duhen mbushur."

Shkullaku shton se së shpejti Klan do të konkretizojnë edhe projekte të mbyllura tashmë:

"Do shohim emisione të stilit pak më urban, që kanë të bëjnë me mënyrën e jetesës, me stilin, me shëndetin etj. Ndërkohë, kanë nisur xhirimet dhe po përgatitet në montazh një emision tjetër i ri. Besoj do jetë të dielën paradite. Ka të bëjë me një fenomen shumë të zhvilluar në 20 vitet e fundit, në Shqipëri 10 vitet e fundit që janë operacionet, ndërhyrjet plastike. Personazhe të ndryshëm tregojnë përvojën e tyre jetësore para, gjatë dhe pas operacionit. “Virtuozët” është një tjetër program i ri në Tv Klan, patentë e grupit Endemol, i cili do të prezantohet nga sopranoja e njohur Inva Mula. Një tjetër reality “The farm”, gjithashtu pritet të kristalizohet shpejt. “Ferma” është një projekt i madh, por aktualisht është në fazë bisedimesh."