Tirana, Elbasani dhe Korça janë tre qytetet me ndotjen më të lartë të ajrit për vitin e shkuar.
Në këtë përfundim ka dalë Agjencia Kombëtare e Mjedisit në raportin e vitit 2023.
“Bazuar në rezultatet e monitorimit kemi tejkalim të normës vjetore të PM10 në stacionin e Tirana Higjiena dhe në stacionin e Elbasanit.
Në stacionin e Tirana higjiena kemi një tejkalim të normës vjetore të PM10 në masën 35.4%, ndërsa në stacionin e Elbasanit kemi një tejkalim të normës vjetore në masën 19.62%.”
Sipas AKM, shkaku kryesor i ndotjes së ajrit në kryeqytet janë automjetet, në Korçë drutë e zjarrit që përdoren për ngrohje, ndërsa në Elbasan aktiviteti industrial në zonën e Ish-metalurgjikut. Kjo situatë kryesisht në muajt e verë, e veçanërisht në korrik.
“Është djegur më shumë karburant si pasojë e shtimit të lëvizjes së automjeteve, por edhe avionëve. Gjithashtu temperaturat e larta amplifikojnë ndotësit e ajrit”, thotë për televizionin A2 Françeska Korançe, pedagoge, eksperte mjedisi.
Sipas gjetjeve të Agjencisë Kombëtare të Mjedisit, grimcat e dëmshme në ajër mund të prodhojnë një “krizë të rëndë të shëndetit publik”. “Kjo shton sëmundjet e kancerit me 10 për qind. Gjithashtu shtohen sëmundjet kardiovakulare etj. “Ne nuk do duhej të kishim këta tregues. Kjo pasi nuk kemi industri apo prodhim energjie me djegie si vendet e tjera të Rajonit”, thotë Korançe.
Sipas Agjencisë Evropiane të Mjedisit, 23 për qind e vdekjeve në Shqipëri shkaktohen nga probleme mjedisore që kthehen në probleme shëndetësore