Tre armë zjarri dhe mbi 1500 fishekë luftarakë janë zbuluar në një automjet tip Land Rover, gjatë një kontrolli në Portin e Durrësit.

Mjeti ishte pjesë e një tranziti doganor nga Kosova me destinacion përfundimtar Republikën Demokratike të Kongos dhe kishte hyrë në Shqipëri në dhjetor të vitit 2022. Që prej asaj kohe, kontenieri ku ndodhej automjeti kishte qëndruar i mbyllur në sheshin e kontenierëve, pasi dërguesi nuk ishte paraqitur për procedurat doganore.

Më 4 qershor 2025, autoritetet doganore vendosën hapjen e kontenierit. Gjatë kontrollit fizik, në një hapësirë të përshtatur brenda automjetit, u gjetën 2 armë automatike, 1 pistoletë, 1580 fishekë të kalibrave të ndryshëm dhe 12 krehra.

Policia ka shpallur në kërkim shtetasin kosovar Y. I., 24 vjeç, si poseduesin e dyshuar të armëve dhe person të përfshirë në trafikimin e tyre. Vijon bashkëpunimi me autoritetet e Kosovës për lokalizimin dhe kapjen e tij.

Armët do t’i nënshtrohen ekspertizës balistike dhe daktiloskopike në Institutin e Policisë Shkencore për të verifikuar nëse janë përdorur në ngjarje kriminale.

Hetimet po vijojnë nga Prokuroria e Durrësit në bashkëpunim me Policinë Kufitare dhe DVP Durrës, me qëllim dokumentimin e plotë të këtij rasti dhe identifikimin e personave të tjerë të përfshirë.