Itali, 20 qershor 2014 – Policia italiane në qytetin e Milanos ka zbuluar dhe neutralizuar një sistem kreditor, që përdorej nga mafia kalabreze për t’u dhënë para me fajde biznesmenëve.
Lajmin e bëjnë të ditur mediat italiane, sipas të cilave sistemi vepronte si një bankë e mirëfilltë dhe në rrjetën e tij kishin përfunduar biznesmenë milanezë dhe të tjerë të ardhur nga jugu i Italisë.
Banka u zbulua nga njësia e operacioneve speciale të karabinierëve ROS dhe nga Drejtoria Hetimore e Antimafias, DIA, të cilat arrestuan 17 persona dhe sekuestruan pasuri me vlerë 8 milionë euro.
Hetuesit deklarojnë se dhënia e parave me fajde bëhet me interesa shumë të larta dhe përfundon gjithmonë me mafien që u merr biznesin subjekteve, në pamundësi që këto të fundit të shlyejnë huanë.
Burimet mediatike shtojnë më tej se sistemi kreditor në kryeqendrën e veriut të Italisë vepronte nën urdhërat e familjeve mafioze kalabreze, me bazë në jug të vendit.
Ndrangheta kalabreze konsiderohet një perandori e plotëfuqishme kriminale me një xhiro të ardhurash prej 53 miliardë euro në vit, një ushtri prej rreth 50 mijë anëtarësh dhe me rreth 380 klane që veprojnë në 30 vende të botës.
Buxheti i saj, që vjen kryesisht nga trafiku i drogës, gjeneron të ardhura të barabarta me ato të kolosëve Deutsche Bank dhe McDonald’s të marra së bashku.
/agjencia e lajmeve "Dyrrah"/





