Itali, 10 korrik 2014 – Karabinierët arrestuan një 31 vjeçar shqiptar Denis S. në qytezën e Trebaseleghe-s afër Padovës, sepse gjatë kontrollit në banesën e tij gjetën 7 kilogramë heroinë afgane dhe 1 kilogramë hashish.
Denisi ishte një figurë mjaft e njohur për karabinierët, pasi i riu shqiptar njihej si person me precedentë penalë dhe me lidhje të shumta me rrjetin kriminal të zonës.
Droga ishte fshehur në një dopjo paret të dollapit të rrobave. Banesa shërbente si një magazinë droge para se ajo të ambalazhohej për t’u shitur me pakicë në gjithë Rajonin e Venetos. Sasia e heroinës ishte e ndarë në 12 pako të mëdha. Nëse sasia e drogës do të shitej në treg në sasi të vogla ajo do të arrinte vlerën 300-400 mijë euro.
Ajo që u bëri më tepër përshtypje karabinierëve ishte fakti se në banesë gjetën edhe bashkëjetuesen e shqiptarit, e cila po ushqente me gji fëmijën vetëm disa muajsh.
Pas marrjes në pyetje, rezultoi se gruaja e re nuk ishte në dijeni aspak të aktivitetit kriminal të kryer nga bashkëjetuesi i saj.
Karabinierët po vazhdojnë hetimet për të identifikuar të tjerë persona të përfshirë në këtë trafik droge.
/gje. th. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





