Shkodër, 4 mars 2014 Një bazë ku përgatitej dhe përpunohej tritoli është zbuluar në një banesë në fshatin Kurtaj të Malësisë së Madhe. Gjatë operacionit të zhvilluar në orët e paradites së sotme, Policia e Shkodrës ka sekuestruar edhe pajisjen, që përdorej për përpunimin e tritolit.

Me marrjen e informacionit për shtepine me tritol në mal, policët udhëtuan dy orë e gjysëm larg Shkodrës deri në Kurtaj të Gruemirës, fshat në Malësinë e Madhe. 
Ndër banorët e paktë të mbetur aty ishte edhe Tafë Balilaj të cilit iu vendosën prangat. Në banesën e tij policia sekuestroi 238 kallëpe tritoli, 200 metra fitil, 150 kapsolla detonatorë si dhe 100 copë granata, 3 automatikë. 
Për policinë kjo bazë shërbente si pikë furnizimi i të interesuarve për eksploziv me qëllime kriminale. Por vetë i arrestuari u tha hetuesve se ua shiste personave që nxjerrin gurë nga malet. 
Policia bëri edhe shoqërimin e disa personave të tjerë si dhe shpalli në kërkim djalin e Balilajt, i cili akuzohet se ishte personi që mbante kontaktet për sigurimin, përgatitjen dhe shitjen e tritolit.

/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/