Gjykata e Krimeve të Rënda ka dënuar me 10 vite burg Mikel Shallarin, vrasësin e ish-drejtorit të Policisë së Vlorës, Artan Cuku, në bazë të marrëveshjes ku 24-vjeçari fitoi statusin e bashkëpunëtorit te drejtësisë pasi tregoi emrin e porositësit të vrasjes dhe bashkëpunëtorit tjetër.
Në dosjen e Shallarit thuhet se organizatori dhe porositësi i vrasjes është Bledar Jambelli (alias Rikardo Muho) dhe bashkëpunëtori Kristaq Leci, djali i dajës së të pandehurit.
Ndonëse ka hezituar fillimisht, 24-vjeçari ka pranuar ta kryejë krimin sepse iu premtuan 20 mijë euro dhe strehim në Gjermani, pasi ishte në vështirësi financiare.
“I pandehuri dha shpjegime të hollësishme mbi rrethanat dhe motivin e krimit të vrasjes së shtetasit Artan Cuku. Ai pranoi se për kryerjen e vrasjes së tij i ishin premtuar 20 mijë euro, nga personi i interesuar, të cilin ai e pati njohur me ndërmjetësimin e djalit të dajës, të pandehurit Kristaq Leci, i cili e konsideronte atë si person të rëndësishëm dhe e quajnte “i madhi” ose “Shefi” . Ky person u identifikua më pas nga ai si Bledar Jambelli. Përveç çmimit të mësipërm të krimit, organizatori dhe ndërmjetësi i premtuan të pandehurit se do ta ndihmonin të sistemohej në Gjermani, atje ku banonin ata. Ndonëse fillimisht hezitoi, i pandehuri pranoi ta kryente këtë krim duke qënë se ndodhej në vështirësi financiare, kishte një të dashur me të cilën bashkëjetonte në një shtëpi me qira, nuk kishte punë stabël për të siguruar të ardhura dhe përherë ishte në borxhe e vështirësi ekonomike. Ai u josh nga premtimet e të bashkëpandehurve për t’i siguruar një jetë më të mirë”,– thuhet në dosje.





