Pas shumë hamendësimeve, më në fund vjen konfirmimi. “Apple” do të lançojë “iPhone”-in e ri më 7 shtator në San-Francisko.
Lajmin e bën të ditur agjencia “Bloomberg”, e cila saktëson se kompania u ka shpërndarë ftesat gazetarëve për këtë event.
Sipas kësaj agjencie, “iPhone” përbën dy të tretat e shitjeve të kompanisë kaliforniane, e cila këtë vit, për herë të parë që nga krijimi i saj, po përballet me rënien e fitimeve, për shkak se përdoruesit po i përditësojnë më rrallë smartfonët e tyre.





