10 nëntor 2015 – Ai guxoi të sillte artistët shqiptarë në dy versione, para dhe pas operacioneve plastike, dhe vazhdon akoma t’i publikojë këto fotografi në profilin e tij në “Instagram”. Më herët, identiteti i këtij personi ishte i panjohur, por një ditë më parë, ai vendosi të mos ishte më anonim. Emri i tij nuk është i panjohur për publikun shqiptar. Disa vite më parë, ai ka qenë një ndër konkurrentët më të përfolur, pjesë e një “reality show”. Arben Kasemi quhet djali që merret me ndërhyrjet kirurgjikale të “Vip”-ave dhe pohon se nuk është i vetëm në këtë nismë, qëllimi i së cilës nuk është dashakeqës.

Faqja “Vipat e Bllokut 2015” menaxhohet edhe nga një vajzë, e cila ka vendosur të qëndrojë anonime për ca kohë, por ndihmesën më të madhe për të qenë sa më aktiv në këtë faqe, ai thotë se e merr nga ndjekësit. Ata i dërgojnë mesazhe pa fund, me ndryshime rrënjësore të personave të njohur të artit dhe kulturës në Shqipëri. Në një intervistë për “Shekullin”, Arben Kasemi tregon detajisht përse vendosi të hapte një faqe të tillë, si i siguron fotot e dikurshme të personave të njohur dhe ndalet tek kërcënimet që i janë adresuar. Sipas tij, kërcënimet janë të vazhdueshme dhe të një niveli të ulët.

Si të lindi ideja për të hapur faqen e vipave në “Instagram”?

Ideja lindi rastësisht, duke qenë se kisha parë edhe faqe të tjera që ishin hapur e ishin shuar brenda javës dhe duke qenë se kisha shumë informacione të tilla thashë ta administroja dhe unë një adresë të tillë.

Si ke mundur ta sigurosh informacionin?

Sot aksesi për foto është shumë i lehtë, pasi vetë “vip”-at apo dhe njerëzit jo “vip”-a janë të predispozuar të bombardojnë rrjetet sociale me foto të tyre.

Pra, ju po thoni që një faqe të tillë mund ta hapë kushdo?

Siç edhe ka ndodhur realisht. Janë hapur disa me emra të ngjashëm “alb plastik”, “fake gocat e bllokut”, “fake albanians” etj., por faqja ime ka patur më shumë vëmendje.

Si ke arritur ta marrësh vëmendjen?

Sepse nuk jam përqendruar vetëm te “vipat e bllokut” dhe nuk e kam nisur me dashakeqësi. Kudo nëpër botë postohen fotot “before and after” (para dhe pas). Unë kam pasur shumë mbështetje nga mesazhet që më vinin, ku njerëzit që nuk i njoh më kanë siguruar foto të ndryshme. Shumicën e atyre që kam postuar nuk i njoh, por i kam hedhur për të evidentuar ndryshimet që kanë pësuar. Njerëzit, mesa duket, këtë gjë e kanë pëlqyer dhe kanë filluar edhe ata “gërmimet” për personazhe të tjera. Kjo i shton larmishmërinë dhe vëmendjen faqes.

Në një fotografi që keni publikuar në “Facebook”, jeni me këngëtaren Ingrid Gjoni dhe keni shkruar: “Me miken time të vjetër”. Fakti që Ingridi është mikja juaj, nuk e bën të jetë më e privilegjuar se të tjerat, pra të mos publikohen foto të saj në faqen tënde?

Këtu nuk duhet të ngatërrohen gjërat. Unë nuk po i bëj postimet si Arben Kasemi dhe asgjë nuk është personale. Ajo nuk është mikesha ime e vetme që është publikuar me ndryshimet që ka pësuar. Por çdo personazh publik që i është nënshtruar ndërhyrjeve kirurgjikale është bërë pjesë e faqes, pavarësisht njohjes personale.

Jeni ndier i kërcënuar?

Të ndihem i kërcënuar është tjetër gjë dhe të kërcënohem është një gjë tjetër. Mua më ka ndodhur kjo e dyta.

Si keni reaguar ndaj kërcënimeve?

Përveçse janë të faktuara pasi të gjitha mesazhet janë të ruajtura, deri tani nuk i kam bërë publike, sepse e gjithë faqja do të kthehej në banalitet. Kam publikuar veç 2-3 raste duke i postuar në faqe vetëm për të treguar deri ku arrijnë figurat që ne adhurojmë dhe bëhemi fansa të tyre. Fansa të femrave vulgare që u dalin për zot njerëz akoma më vulgar. Por unë i di deri ku janë të drejtat e mia të shprehjes dhe të informimit “online” dhe nuk i kam cenuar ato.

Ju thatë që keni publikuar 2-3 raste. Kjo do të thotë që kërcënimet janë të shumta?

Janë të vazhdueshme dhe të një niveli shumë të ulët. Por të drejtat e njeriut sot janë të mbrojtura nga Kushtetuta e Shqipërisë, siç është e drejta dhe liria e shprehjes. Kundërshtari më potencial i jetës private sot është shteti dhe asnjë postim i imi nuk ka qenë antiligjor, kurse kërcënimet e tyre po. Kështu që ngado ta rrotullojmë, jam unë gjithmonë që kam diçka kundra tyre, jo ata kundra meje. Nuk është e jashtëligjshme të ripublikosh ato që kanë qenë prej kohësh të publikuara, por e jashtëligjshme është të kërcënosh dhe të thyesh ligjin e të drejtave dhe mbrojtjes së të drejtave të individit.

Më shumë kërcënojnë femrat apo meshkujt?

Le të themi që më shumë jam habitur nga femrat, por shpesh ndodh të jetë dhe një mashkull, duke kërkuar të hiqet fotoja e një femra që mund të jetë e dashura, mikesha e tij etj. Kërcënimet janë të shumta vetëm për faktin që është shumë e lehtë të shkruash nga një adresë fallco që hapet për 2-3 min, sepse sikur të ishte secila me adresën reale, do ta mendonin dy herë. Kur kërkesa për heqjen e fotografisë është bërë në mënyrë njerëzore, unë e kam hequr, dhe këtë e kanë parë gjithë ndjekësit e faqes, duke më shkruar “pse ja hoqe foton asaj k… Postoja prapë”, e kështu më radhë. Por në rastet kur ma kane kërkuar një gjë të tillë duke më bombarduar me kërcënime atëherë fotoja nuk hiqet. Ndaj do u thosha që e keqja më e madhe nuk u ka ardhur nga mua, por nga "mikeshat" e veta.

Fakti që jetoni në Milano të Italisë, ju bën të ndiheni më i mbrojtur?

Fakti që jetoj në Milano i bën ata/ato të më kërcënojnë mua më shumë. Sepse edhe po të isha në Tiranë postimet e faqes do të ishin të njëjtat.

Sa kohë nga dita juaj ju merr angazhimi në këtë faqe?

Edhe kur kam dashur të mos publikoj më, më ka ardhur diçka interesante në “inbox” dhe e kam vazhduar, kështu që nuk di të them fiks sa kohë. Di që më ka lezetosur pa masë, sepse i kam parë njerëzit në një formë që askush tjetër s’i ka parë. Fizikisht, edhe psikologjikisht.

Fitoni të ardhura nga kjo adresë?

Nganjëherë argëtimi s’ka të paguar dhe ky është një rast i tillë. Në qoftë se do të fitoja të ardhura, atëherë do t’i ndaja në mënyrë të barabartë me çdo “vip” që kam postuar, kështu që ajo që ka dalë më shpesh do të bëhej më e pasur.

Pse vendosët ta bënit publik emrin tuaj?

Për këtë kam një arsye shumë të fortë që sot nuk jam gati ta zbuloj, por kjo gjë po i paraprin faqes një surprizë të madhe …

Keni qenë pjesëmarrës në një “reality show”. Aktualisht me çfarë merreni?

Me “vipat”.

Marrë nga Shekulli

/portali DurresLajm/