Dokumenti botohet për herë të parë, gjendej në Muzeun e Elbasanit

Dorëshkrimi i rrallë nis me një korrektësi të admirueshme dhe renditje të një letre zyrtare

Bardha Nergjoni

TIRANE, 12 maj 2013– Një dokument i rrallë ka dalë në dritë së fundmi, pas një hulumtimi në arkivin e pasur të Muzeut të Elbasanit. Dorëshkrimi trefaqësh, me shkrim dore dhe ende me shkronjat e alfabetit të Stambollit është shkruar me aq kujdes dhe korrektësi nga vetë drejtuesi i atëhershëm i shkollës së Negovanit, Petro Nini Luarasi. Nuk dihet se si kjo letër ka përfunduar në radhën e arkivave të Muzeut të Elbasanit por ka gjasa të ketë qenë pjesë e bibliotekës së Lef Nosit, i cili kishte një interes të shtuar për zhvillimin e arsimit dhe kishte kontakte me shoqëritë atdhetare të asaj kohe. Gjithsesi drejtori i muzeut, Kreshnik Belegu, nuk di ta shpjegojë gjetjen e kësaj letre në këtë muze, por thotë se ky dokument është me mjaft vlera dhe tregon edhe një herë përpjekjet e mëdha për arsimin shqip dhe historinë e shkollës shqipe të Negovanit që përbën një moment të rëndësishëm në historinë e arsimit shqip.

Dorëshkrimi i rrallë nis me një korrektësi të admirueshme dhe renditje të një letre zyrtare. Në këtë letër lajmërohet se është hapur një mësonjëtore në gjuhën amtare dhe se qysh në nisje kjo mësonjëtore ka mbi dyzet nxënës djem e vajza, duke u shkëputur nga shkolla grekomane, e cila është hapur tre muaj para saj. Aty theksohet se ka një nevojë të madhe për libra që nuk gjenden në Manastir apo Follorinë. Më tej, në letër theksohet se nevoja për libra është e domosdoshme, pasi nxënësit janë shkëputur nga greqishtja. Në përfundim firmoset nga Pleqësia e Mësonjëtores Negovan, kryeplaku Sotir Kristo dhe Kryesonjës i Pleqësisë, Petro Nini Luarasi. Kjo letër mban edhe vulën e Pleqësisë së Mësonjëtores. Ajo dëshmon angazhimin e madh të patriotëve të kohës për mësimin e gjuhës shqipe në një zonë, ku mbizotëronte greqishtja. Letra është një dëshmi e qartë e saj dhe dokumenton faktin se vetë Petro Nini Luarasi e ka drejtuar këtë shkollë pas vrasjes së Papa Kristo Negovanit, deri në prag të Pavarësisë Kombëtare. Drejtues të muzeut e konsiderojnë një dokument të rëndësishëm dhe që është rastësi shumë e bukur që ndodhet pikërisht në Elbasan në një muze të vogël, por që ka dëshmuar edhe për praninë e shumë dokumenteve të tjera të rëndësishme.

/SHQIP/