Pas incidentit të ndodhur së fundmi në shtëpinë e “Big Brother VIP Albania 4”, ku Jozef Marku, i njohur ndryshe si Jozi, goditi fizikisht artistin Gjesti, janë zbuluar detaje shqetësuese mbi të kaluarën e tij jashtë Shqipërisë.

Marku ka qëndruar në burg në Zvicër nga viti 2020 deri në vitin 2023, pas një denoncimi për dhunë nga ish-partnerja e tij gjatë periudhës së bashkëjetesës në një nga kantonet frankofone të vendit.

Pas vuajtjes së dënimit, mësohet se Jozi dhe ish-partnerja nuk kanë pasur më kontakt. Burime të afërta me gruan në fjalë thonë se ajo nuk ka dashur të rikthejë komunikimin, duke u përpjekur të largohet nga e kaluara e saj e dhunshme.

Sipas ekspertëve ligjorë zviceranë, dënime të tilla me afat të gjatë zbatohen vetëm në rastet kur provohet dhunë e përsëritur dhe me prova të forta, veçanërisht në rastet që përfshijnë gratë dhe bashkëjetesat problematike.