Spektakli i humorit “Portokalli” ka qenë kryefjala e mediave online ditët e fundit. U aludua se regjisori i tij prej shumë vitesh, Altin Basha ishte larguar nga Top Channel. Bashkë me të ishte larguar dhe Salsano Rrapi e një pjesë e aktorëve, për t’u “zhvendosur” në ABC News. Pas shumë versioneve, më në fund ka ardhur reagimi zyrtar nga televizioni.

Top Channel zgjodhi të qartësonte gjithçka nëpërmjet një kronike në edicionin e lajmeve, ku u transmetuan momente nga mbledhjet e para të stafit. Altin Basha vazhdon të jetë regjisori i spektaklit, si dhe as Salsano nuk është larguar. Ky i fundit ka folur për herë të parë për sezonin e ri: ” Njerëzit na pyesin kur fillojmë. Ne fillojmë çdo javë të parë të tetorit. Kështu që të dielën e parë të tetorit ne do jemi në ekranin e Top Channel. Besoj se do kemi sezon shumë të mirë, meqë ka filluar tani dhe lufta e fortë për fushatën elektorale dhe dihet që ne jemi liderët e imitimit dhe të sjelljes së humorit politik në skenën tonë.”

Pra, të gjitha aludimet kanë qenë të gabuara. Sezoni i ri duket se do të vijë me të njëjtin regjisor dhe shumicën e aktorëve që mbeten besnikë të Top Channel prej vitesh.