Gentian Malindi është durrsaku i shpallur në kërkim për 4 konteinerët me drogë që u bllokuan në portin e Durrësit.
Biznesmeni 42-vjeçar, i cili ishte edhe pritësi i lëndës narkotike, mësohet se ka në pronësinë e tij një anije peshkimi.
Lidhur me operacionin e fundit të Policisë së Shteti janë arrestuar dy persona, Ardian Bega dhe Altin Mislimhaka, punonjës në portin e Durrësit.
Burime bëjnë me dije se Malindi ka qenë bashkë me dy personat që janë prangosur, por i ka shpëtuar policisë, pasi ka kuptuar se në pakot e kokainës mund të kishte GPS.
Por kjo nuk është hera e parë që emri i Gentian Malindit, përmendet për trafikim të lëndëve narkotike, pasi në vitin 2013 ai është arrestuar në sajë të operacionit "Sfida" ku u kapën 500 kg drogë në një furgon mallrash tip “Mercedes Benz” me targa AA 938 AE.
Por asokohe, në qershor të 2013-ës, Gjykata e Durrësit e vlerësoi të paligjshëm arrestimin e durrsakut dhe rrëzoi kërkesën e Prokurorisë për caktimin e masës së sigurimit për Malindin, duke e lënë të lirë atë.





