Zbulohet emri i deputetes socialiste e cila është thirrur për t’u marrë në pyetje në Prokurori në kuadër të hetimeve për çështjen “Habilaj”.
“Panorama” shkruan sot se ajo është deputetja Elona Gjebrea. Burimet thanë për “Panorama” se Gjebrea është thirrur në cilësinë e ish-zv.ministres së Brendshme, në kohën që në krye të këtij dikasteri ishte Saimir Tahiri, tashmë person nën hetim.

Mbrëmë, për këtë foli edhe gazetari Blendi Fevziu teksa drejtonte “Opinion” ku lexoi një mesazh, sipas të cilit një deputete e Partisë Socialiste është thirrur nga Prokuroria për Krimet e Rënda për të dëshmuar në lidhje me dosjen “Habilaj”.
“Deputete e PS dhe ish-zyrtare e lartë është thirrur nga Prokuroria e Krimeve të Rënda për të dëshmuar. Unë emrin nuk po e them për etikë, kjo ngjarje ka disa ditë që ka ndodhur dhe nuk është konfirmuar ende”, deklaroi Blendi Fevziu.





