Policia e Shtetit dhe Interpol Tirana kanë ndjekur lëvizjet e Ervin Matës prej më shumë se 2 vitesh, në disa shtete të Amerikës Latine.

Mësohet se në momentin që është ndaluar nga policia braziliane atij i janë gjetur disa dokumente të falsifikuara.

“39-vjeçari kishte pasaportë bullgare të falsifikuar që kishte skaduar në vitin 2024. Gjithashtu mësohet se ai kishte një kartë identiteti bullgare të vlefshme deri në vitin 2029, gjithashtu të falsifikuar”, raporton KlanNews.

Mata kishte dhe një kartë identiteti të shtetit Paraguaj të falsifikuar ku vendlindje kishte shënuar Mbretërinë e Bashkuar, dokument që përdorte më së shumti për lëvizjet e tij në disa shtete të Amerikës Latine.

Ai u arrestua mbrëmjen e djeshme në Brazil, 27 prill, pas rreth 3 vitesh në arrati.

Mata ishte shpallur në kërkim në nëntor të vitit 2023 me urdhër të SPAK, si pjesë e një grupi të strukturuar kriminal të dyshuar për trafik ndërkombëtar të kokainës. Sipas hetimeve, grupi akuzohet gjithashtu për pastrim parash dhe sigurim kushtesh për kryerjen e vrasjeve.

Tanimë pritet ekstradimi i tij në Shqipëri…