17 gusht 2015 –  A bëhej “dru” me kanabis dramaturgu gjenial anglez Uilliam Shekspir (William Shakespeare, 1564-1616)? Analizat e kryera në llullën 400-vjeçare që përdorte shkrimtari, hedhin dyshime se Shekspiri nuk ishte thjeshtë duhanpirës. Gjatë kërkimeve në kopshtin e shkrimtarit, një grup shkencëtarësh zbuloi ekzistencën e kanabisit, i cili, sipas tyre, mund t’i ketë shërbyer shkrimtarit për të shkruar disa nga kryeveprat e dramaturgjisë botërore.

Nëpërmjet një teknike të veçantë, u zbuluan 8 mostra të ndryshme kanabisi, 4 prej të cilave i përkasin kopshtit të shtëpisë së Shekspirit. Në llullë janë gjetur edhe gjurmë të kokainës, prejardhja e së cilës mbetet enigmë. Këto dyshime përforcohen edhe më shumë, kur sonetet e Uilliam Shekspirit shtyjnë të mendohet se ishte i familjarizuar me efektet e këtyre drogave.

Në sonetin e 76 shkruan për ekzistencën “Krijimi nga një bimë e keqe” (“invention in a noted weed”), e cila mund të interpretohet se gjatë kohës që i shkruante, përdorte bimë si kanabis. Në të njëjtin sonet ai shkruan se nuk do të parapëlqente  të kishte varësi nga këto “përbërje të çuditshme” (compounds strange), që lenë vend për t’u interpretuar si droga të forta, ndoshta kokainë.

/th. m. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/