· Nipi i Alistair Campbell, ish- këshilltari për marrëdhëniet me publikun i Tony Blair, që këshilloi socialistët në fushatën e suksesshme zgjedhore, është punësuar nga qeveria shqiptare, raporton BalkanInsight.
Nga Besar Likmeta, BIRN
Tiranë, 5 maj 2014– Sipas burimeve brenda qeverisë dhe postimeve në rrjetet sociale, 26- vjeçari, i diplomuar në Oxford, James Naish, është punësuar si këshilltar në zyrën e kryeministrit shqiptar në shtator, pasi Partia Socialiste mori pushtetin.
Gjatë nëntë muajve të shkuar, Naish ka projektuar një strategji komunikimi për 100 ditët e para në detyrë të qeverisë, duke koordinuar raportet e qeverisë, duke projektuar një model të qeverisjes së mirë për Shqipërinë dhe duke redaktuar fjalimet dhe të tjera komunikime për kryeministrin Edi Rama.
Naish shkruan në profilin e tij në rrjetin social Linkedin se ai po koordinon ndryshimet strukturore në 170 organizata qeveritare, duke vendosur disa procese që lidhen me punën e përditshme të kryeministri, duke menaxhuar projektet e softuereve për 19 ministri dhe duke shkruar përshkrimet e punës për më shumë se 20 zyrtarë të personelit të lartë në zyrën e kryeministrit.
Mes detyrave të tij të monitorimit dhe raportimit, Naish liston edhe krijimin e përditësimin e një matrice të politikave për të ndjekur më shumë se 600 premtime elektorale, mbajtjen e raporteve për kryeministrin dhe ndjekjen e progresit hap pas hapi për 19 ministri.
Ai gjithashtu po ndihmon në ngritjen e dy zyrave të reja në Këshillin e Ministrave, një për mbajtjen e premtimeve dhe një njësi monitorimi.
Përpara se të bashkohej me zyrën e kryeministrit, Naish ka punuar si analist dhe këshilltar për firmën britanike Eccenture, nga e cila ka marrë një periudhë shkëputje.
I pyetur nga Balkan Insight, një zëdhënës i qeverisë, Endri Fuga, mohoi që Naish është këshilltar i kryeministrit.
Megjithatë, një burim brenda zyrës së kryeministrit, që foli në kushtet e anonimatit, konfirmoi se Naish është duke drejtuar aktualisht njësinë e dorëzimit.
Naish është djali i Elizabeth Naish, motrës së vogël të Alistair Campbell.
Campbell ka punuar si këshilltar i Partisë Socialiste gjatë zgjedhjeve parlamentare të qershorit, që sollën partinë e Ramës në pushtet.
Linku i shkrimit të plotë të Balkan Insight:http://www.balkaninsight.com/en/article/albania-s-government-secret-advisor-revealed
/agjencia e lajmeve "Dyrrah"/





