Pasditen e sotme, në orën 17.00, është njoftuar zhvillimi i mbledhjes jashtë radhe të Këshillit Bashkiak Durrës.

Një nga pikat kryesore të rendit të ditës është:

MIRATIMI I KONTRATËS TIP PËR PËRFITIMIN NGA GRANTET E RIKONSTRUKSIONIT PËR INDIVIDËT OSE FAMILJET E DËMTUARA NGA TËRMETI I DATËS 26.11.2019 ME NIVEL DËMI DS1-DS2-DS3

Në 3 kontratat tip që DurrësLajm po publikon më poshtë për banesat me dëmtime DS1, DS2 dhe DS3, janë gjithsej 11 nene që sanksionojnë detyrimet mes dy palëve, bashkisë dhe qytetarit që i është dëmtuar shtëpia nga tërmeti i 26 nëntorit.

Në pikën nr.3 të nenit nr.3 të Kontratës nënvizohet se:

Vlera/masa e grantit të rikonstruksionit/riparimit kalon në llogarinë bankare të përfituesit të grantit pranë një banke të nivelit të dytë ose në Postën Shqiptare (sipas rastit), brenda 10 ditëve, pas nënshkrimit të kontratës së grantit.

Masa e grantit varion në bazë të dëmit në banesë:

  • DS1 – 100.000 lekë;
  • DS2 – 250.000 lekë;
  • DS3 – 500.000 lekë.

Në kontratë do të përcaktohet edhe data e përfundimit të saj, që nënkupton datën e përfundimit të riparimit apo rikonstruksionit të banesës së dëmtuar. Njëkohësisht në kontratë theksohet se qytetarët që janë përfitues të bonusit të qirasë dhe që do të përfitojnë grantin e rindërtimit, do të vazhdojnë ta marrin bonusin deri në përfundimin e rikonstruksionit/riparimit të banesës, në zbatim të programeve të procesit të rindërtimit të parashikuara në ligj.

Pak ditë më parë, ministri i Rindërtimit, Arben Ahmetaj deklaroi se në muajin korrik do të kalojnë grantet e rindërtimit për qytetarët durrsakë të dëmtuar nga tërmeti. Sipas ministrit, vlera totale e grantit pritet të jetë rreth 24 milionë dollarë. Sipas listës paraprake të miratuar nga Këshilli Bashkiak Durrës, më datë 29 maj, pritet të jenë përfitues 8782 qytetarë.