Një muaj nga ngjarja tragjike ku nënë e bir u gjetën të djegur, Policia e Vlorës ka bërë të mundur arrestimin e dy personave.
Nga provat e mbledhura ku u gjetën të pajetë e të djegur në banesën e tyre Olsi Hoxhallari dhe nëna e tij Selkie Hoxhallari, nga grupi hetimor u krijua bindja se nuk ishte një ngjarje aksidentale, por një vrasje.
Në pranga kanë rënë bashkëshortja dhe nusja e viktimave, Hysnie Hoxhallari, 32 vjeçe, banuese në Vlorë dhe Kasëm Pirjasi, 26 vjeç, banues në Strum, Fier.
Ngjarja makabre ndodhi më 22 janar 2018 në lagjen “24 Maji” Vlorë.
Sipas policisë, mësohet se në bashkëpunim me njëri-tjetrin, për motive të dobëta, kanë dhunuar e më pas kanë vrarë nënë e bir si dhe kanë shkaktuar zjarr në banesë me qëllim fshehjen e provave duke synuar për ta devijuar ngjarjen si “aksidentale”.
Në cilësinë e provës materiale është gjetur dhe sekuestruar arma e ftohtë me të cilën dyshohet se është kryer krimi (mjet prerës i fortë prej metali).
Materialet hetimore iu referuan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Vlorë, për veprën penale “Vrasja në rrethana cilësuese, kryer në bashkëpunim”.





