Kur rreth 80 ditë na ndajnë nga procesi zgjedhor i 25 prillit, listat e kandidatëve për deputetë, si tek mazhoranca ashtu edhe tek partitë opozitare, akoma nuk janë përmbyllur.
Partitë kanë hyrë në fazën më të ethshme të tyre dhe pritet që gjatë muajit shkurt listat të marrin dorën e fundit për t’u prezantuar më pas kandidatët para votuesve.
Ndërsa nga PS dhe PD disa nga emrat më të rëndësishëm janë konfirmuar tashmë në listë, pritet vetëm renditja e tyre, edhe LSI është drejt konkretizimit të listës së kandidatëve.
“DurrësLajm” mëson nga burime brenda kësaj partie, se do të jetë pikërisht drejtuesja politike e qarkut emri i parë në listën e LSI-së.
Elona Guri është lakuar disa herë nga kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi, si “një organizatore shumë e mirë dhe një kapacitet njerëzor dhe politik”.
Guri ishte edhe emri që u lakua në videon ku shfaqej Edi Rama dhe Lefter Koka, ndërsa i bënin thirrje Nasip Naços t’i bashkohej PS-së, meqë nga LSI e kishin sportuar për t’i besuar fushatën e Durrësit, Shijakut dhe Krujës, Elona Gurit.
Në 3 mandate rresht, LSI ka mundur të fitojë mandat deputeti në qarkun Durrës me Lefter Kokën. Madje në zgjedhjet e 2017-ës, si asnjëherë më parë, partia e Kryemadhit çoi dy deputetë në Kuvend nga qarku Durrës, Lefter Kokën dhe Nora Malajn. Largimi i Kokës dhe shumë figurave të tjera të LSI-së dhe bashkimi i tyre me PS Durrës, nuk dihet ende sa e ka dëmtuar këtë parti, pasi dega është ristrukturuar nga e para.
Zgjedhjet e 25 prillit do të jenë një test prove për partinë e Kryemadhit, pasi për herë të parë futen në zgjedhje me një kryetare të re, në ndryshim nga gjithë fushatat e mëparshme kur udhëhiqeshin nga Ilir Meta.
Krahas drejtueses politike të qarkut (e cila ka gjasat më të mëdha të fitojë një mandat deputeti) emra të tjerë që pritet të përfshihen në listën e kandidatëve të LSI-së për qarkun Durrës mund të jenë kryetarja e degës, Kontjana Kuçi, i dërguari në bashkinë e Shijakut, Bahri Shaqiri, nënkryetarët e degës Bujar Dhima dhe Enon Karapici etj.
4 vite më parë, në listë u rendit në vend të dytë ish-deputetja Nora Malaj, e cila ka lindur në Durrës por prej shumë vitesh jeton në Tiranë. Në këto zgjedhje nuk dihet nëse Kryemadhi do të përfshijë në listë edhe emra të dërguar nga kryeqyteti.
4 vite më parë, renditja e Malajt në vendin e dytë dhe ish-drejtorit të Aluiznit Flamur Gjuzi në vend të tretë solli përplasjen e parë të fortë brenda degës lokale, pasi rezultatin më të mirë në zgjedhjet e 2017-ës LSI e realizoi në njësinë administrative Rrashbull, zonë që mbulohej nga Gjuzi. Në këtë njësi, LSI e spostoi PD-në në vend të tretë për nga sasia e votave të mbledhura. Por ndërsa Koka dhe Malaj shkuan në Kuvend prej pozicionit të favorshëm në listë, Gjuzi mbeti jashtë parlamentit.
M.B.





